E mbijetuara e tragjedisë: Krimi pas divorcit
Nadire Gjoni, 65- vjeçarja e mbijetuar pas krimit të rëndë në familje ka rrëfyer për hetuesit masakrën në familje, të shkaktuar nga emigranti Zaimi
"Brunilda dhe Petriti prej kohësh nuk kishin marrëdhënie të mira, që po sillte fundin e martesës së tyre"
TIRANE- Tri ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në rrugën "Selaudin Zorba" në Allias, policia e kryeqytetit ka mundur të marrë një deklarim nga Nadire Gjoni, gruaja që i mbijetoi masakrës së të pemtes ku mbetën të vdekur, bashkëshorti i saj Azbi Gjoni, nipi Klevis Zaimi dhe dhëndri Petrit Zaimi. Burime të policisë së kryeqytetit konfirmuan për gazetën "Shekulli", se gruaja tashmë ka kaluar gjendjen e rëndë shëndetësore dhe është tërësisht jashtë rrezikut për jetën që i kanosej më parë.
Ky përmirësim i gjendjes shëndetësore të gruas 65- vjeçare ka bërë që zyrtarë të lartë të hetimit të krimeve në kryeqytet të mbërrijnë në dhomën ku qëndron e shtruar gruaja për t'i marrë asaj versionin mbi ngjarjen. Sipas hetuesve dëshmia e gruas së vetme të mbijetuar do t'i jepte përfundimisht vulën fletëve të hetimit të ngjarjes së rëndë të ndodhur në kryeqytet dhe që pasoi me tre të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Gruaja mësohet se ka sqaruar të gjithë skemën e tragjedisë ndërsa, konfirmimi i saj ka qenë se debati i tragjedisë ka qenë pikërisht ndarja e bijës së saj, Brunildës me autorin e masakrës, Petrit Zaimit. Pikërisht këtë pohim ka dhënë, Nadire Gjoni, për hetuesit e drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët nuk kanë mbajtur një deklarim të rregullt, duke marrë të dhëna në një bisedë të lirë gjatë vizitës së kryer prej hetuesve në spital.
Dëshmia
Biseda e Nadire Gjonit me hetuesit e policisë, sipas burimeve të policisë mësohet se është kryer në një prej dhomave të spitalit ushtarak, ku aktualisht ndodhet e shtruar e plagosura. Mësohet se të shtunën në mbrëmje gruaja ka mundur të lërë sallën e reanimacionit të spitalit ushtarak, ndërsa hetuesit nuk kanë humbur kohë. Menjëherë janë drejtuar atje. Dëshmia që oficerët e krimeve, të Zyrës së Hetimit të Vrajseve, kanë marrë nuk ka qenë e papritur, por vetëm se ka qartësuar më tepër mjergullën që ishte ngritur mbi ngjarjen. Sipas gruas, konflikti ka lindur prej kohësh për shkak se marrëdhëniet e tyre nuk ishin më si vite më parë. Kjo kishte bërë që çifti të kërkonte në gjykatë divorcin dhe pas mosmarrëveshjeve që kishin dhe muajt e fundit, krisja kishte qenë thuajse përfundimtare.
Për këtë shkak, besohet se dhëndri Petrit Zaimi kishte mbërritur në Tiranë pak javë më parë për të biseduar me vjehrrin e tij të cilin e konsideronte si shkaktar të situatës. Sipas gruas, gjithçka ka nisur kur ata ende nuk kishin nisur të konsumonin asgjë nga dreka e shtruar ndërsa qe e fundit për të shoqin nipin dhe dhëndrin e saj. Gruaja ka sqaruar gjithashtu edhe mekanizmin e krimit, duke konfirmuar dyshimet që kishte pasur policia mbi ngjarjen. Ndërkaq deklarimet verbale të gruas pritet të shndërrohen në dëshmi të dokumentuar pas përmirësimit të gjendjes së saj. Po kështu hetuesit ende nuk kanë marrë dëshminë e bashkëshortes së Petrit Zaimit, Brunilda Zaimi, për shkak se familja ka qenë e angazhuar në kryerjen e riteve pas tragjedisë së ndodhur të premten e kaluar. Në këtë tragjedi Brunilda humbi, babain e saj Azbi Gjonin, djalin 13- vjeçar Klevis Zaimi, ndërsa i cilësuari si shkaktar i saj, vrau veten.