E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetura, këngë për Titon dhe filma pornografikë

Periskopi / Një shëtitje nëpër pazarin e veturave në Gjilan. Me globalizimin e botës dhe me përfshirjen e Ballkanit në vorbullën e ekonomisë planetare, nuk ka më rregulla e rend në pazar.

Në frazeologjinë e gjuhës shqipe shprehja "me dalë n'pazar" ka një domethënie të gjerë. Në pazar dilet jo vetëm për të blerë e për të shitur mallëra nga më të ndryshmet, por edhe për të bërë muhabet dhe për të dëgjuar të rejat e fundit. Ky është roli historik i pazarit. Madje në kohërat e kaluara në pazar lidheshin edhe fejesa - shpeshherë pa dijen e atyre që fejoheshin dhe martoheshin dhe kalonin gjithë jetën së bashku. Në perceptimin e perëndimorëve pazari është një shesh i hapur ose i mbuluar, ku nuk mungon asgjë dhe ku ka gjithçka.


Pemë, perime, duhan, llulla, mëlmesa, tesha, pajisje, aparate të llojllojshme elektrike. Një shembull i tillë është pazari "Kapali Carsi" i Stambollit, i cili gjendet në Sulltanahmet, në qytetin e vjetër, një labirint me rrugica përgjatë të cilave janë jo më pak se katër mijë (!) dyqane. Imazhi i plotë i pazarit plotësohet me xhamitë dhe minaret përreth, me avullin e çajit, me aromën e ëmbëlsirave të Orientit, me llullat e ujit, me haremet e mistershme. Disa kopje të këtij pazari dikur gjendeshin edhe në Ballkan. Serbët e njohin si institucion vasharin, një lloj pazari ku nuk shiten vetëm lopë e qengja, pemë e perime, por ku njoftohen edhe meshkujt me femra ose anasjelltas. Pak a shumë ky ka qenë funksioni i pazarit edhe në botën shqiptare.

"Mall nga Zvicra


Me globalizimin e botës dhe me përfshirjen e Ballkanit në vorbullën e ekonomisë planetare, me vërshimin e tregjeve me mallëra të lira dhe jocilësore nga Azia edhe roli i pazarit ka ndryshuar. Nuk ka më rregulla e rend në pazar. Një rast i mirë për studim është pazari i veturave në Gjilan, i cili gjendet në periferi të qytetit, në një pistë që dikur ishte vend për uljen e avionëve, të cilët shërbenin për spërkatjen e tokave bujqësore. Ky pazar është një model i ri për shitjen e prodhimeve. Emërtimi "Autotregu" është mashtrim. Natyrisht që këtu ka edhe vetura nga më të ndryshmet, të cilat janë në shitje. Por, inventari i këtij pazari përbëhet prej shumë sendeve të tjera. Këtu mund të bleni vegla të metalit dhe të plastikës, tesha të prodhuara në fabrikat e tekstilit në Kinë, goma për veturë, priza elektrike, artikuj shtëpiak që shiten si "mall nga Zvicra", traktorë, motoçikleta, biçikleta etj.

Gorski vijenac

Për çdokënd që jeton larg Gjilanit është befasi të zbulojë se në pazarin e veturave mund të gjesh edhe gjësendet më të papritura. Një shitës me sy të lodhur e me shikim të zbehtë në banakun e tij ka një fond të çmuar këngësh folklorike, mes tyre edhe CD me këngë të rapsodëve Sali e Feriz Krasniqi, të cilët njëkohësisht i këndojnë Selman Kadrisë, Kral Nikollës dhe Marshall Titos. Pak më tutje një shitës tjetër thotë: "Urdhëroni libra për 50 centë". Mes librave që u mungojnë shumë faqe, mes veprave të pavlerë mund të gjenden edhe margaritarë të letërsisë.


Për shembull "Udhëtimet e Guliverit ndër vise të largëta të dheut", botim i sipërmarrjes gazetare-botuese "Rilindja", Prishtinë, 1963. Pastaj vepra monumentale "Gorski vijenac" (Kurora e maleve) e vladikës malazez Petar Petroviq Njegosh, botim i "Prosvetës" së Beogradit në vitin e largët 1952. Në ballinë të librit ende s'ishte fshirë emri i Ranka Popoviqit, e cila ndoshta dikur ka qenë nxënëse gjimnazi në Gjilan. "Kurora maleve" është pa dyshim vepra më e rëndësishme letrare e letërsisë malazeze dhe serbe e shekullit 19-të dhe dokumenti më patetik dhe më i vlefshëm letrar i luftës së fiseve malazeze kundër osmanëve. Një vepër tjetër që shitej në tregun e veturave, në ish-pistën e avionëve në Gjilan, ishte edhe romani "Gjaku i papastër" i Borisav Stankoviqit, i cili përthekon kohën pas çlirimit të Vranjës me rrethinë nga turqit në fund të shekullit 19-të. Edhe kjo vepër është botim i "Rilindjes" në vitin 1964. Këto tri libra - "Udhëtimet e Guliverit ndër vise të largëta të dheut", "Gorski vijenac" (Kurora e maleve) dhe "Gjaku i papastër" - kushtuan vetëm 1.50 euro!


Orgazma elektrike

Vizitorë të tjerë të pazarit, të cilët nuk interesohen aq për libra dhe për historinë, por për artikuj të argëtimit të shpejtë pas mesnate, ndaleshin në dalje të pazarit. Aty, mes DVD-ve me filma vizatimorë për fëmijë (për shembull "Pocahontas") shiteshin edhe filma pornografikë ("Seks me Sabrinën", "Monika e ndezur", "Magjia e zezë", "Orgazma elektrike"). Në frazeologjinë e gjuhës angleze "Sex selis" domethënë se një prodhim shitet më mirë nëse prezantohet në një kontekst me përmbajtje seksuale. Shembuj të tillë janë të mirënjohur nga bota e reklamës.

Për shembull femrat e veshura lehtë duke bërë reklamë për vetura apo motoçikleta, të cilat tërheqin vëmendjen e klientit. Duket që këtë leksion nga bota e marketingut e kanë mësuar edhe shitësit në pazarin e veturave në Gjilan. Kush vjen për të blerë veturë këtu mund të gjejë edhe filma pornografikë. Të rrallë janë ata që blejnë libra. Sepse ky pazar, dorën në zemër, nuk është vend i përshtatshëm për të shitur libra.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›