E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu bllokon "Gërdecin" në Gjykatën e Lartë

Avokatët e ish-ministrit: Nuk vijmë dot se është bllokuar rruga Durrës- Kukës. Shtyhet sërish seanca për tragjedinë e 15 marsit


TIRANË- Avokatët e ish-ministrit të Mbrojtjes, të pandehurit Fatmir Mediu, bllokojnë procesin për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.


Ata kanë detyruar dje Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë që të shtyjë seancën e tretë gjyqësore në ngarkim të tij, duke irrituar familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët paralajmëruan për vetëgjyqësi.


Mos prezencën e tyre, avokatët Petrit Serjani dhe Ardian Visha e kanë justifikuar me mbylljen e tunelit "Rrëshen-Kalimash". Duke u fshehur pas skandalit numër dy të qeverisë Berisha, avokatët kanë pohuar se janë bllokuar në hyrje të Kukësit dhe nuk mund të vijnë dot në Tiranë.


Nga ana tjetër, burimet zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe firmës ndërtuese të këtij segmenti rrugor, konfirmuan për "Shekullin" se tuneli edhe gjatë ditës së djeshme ka funksionuar normalisht.


"Tuneli Rrëshen-Kalimash ka funksionuar për udhëtarët edhe gjatë ditës së djeshme deri në orën 11:00 kur do të mbyllet nga kjo orë deri mëngjesin e ditës së enjte"- thanë burimet. Ndërkaq, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi legjitimoi gjyqtarin Ardian Nuni si anëtar i pesëshes gjykuese dhe lexoi kërkesën me shkrim të avokatëve mbrojtës për shtyrjen e seancës i kaluan fjalën përfaqësuesve të akuzës për të dhënë mendimin e tyre.


Njëri nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, prokurori Arben Dollapi, i cili foli për kërkesën e avokatëve, u shpreh se "kërkojmë nga avokatët e të pandehurit Fatmir Mediu të jenë më seriozë në kërkesat e tyre për shtyrje, pasi Ministria e Transporteve ka lajmëruar se në ora 11:00 të mesditës do të mbyllet tuneli, ndërsa, ora e seancës është 10:25 minuta, që tregon se ata mund të kishin ardhur po të kishin mendjen për të zhvilluar seancën gjyqësore".


I pranishëm në sallën e gjyqit ka qenë, një nga asistentet e zyrës ligjore të avokatëve të Mediut, i cili depozitoi një FAX ku konfirmonte se avokatët janë në Kukës dhe për shkak të mbylljes së tunelit nuk mund të vinin në seancën gjyqësore.


Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi pretendimet e palëve brenda 10 minutave vendosi të shtyjë seancën gjyqësore dhe caktimin e datës 14 shtator 2009, ora 10:00 për vazhdimin e gjykimit.


Ky vendim i gjykatës nuk është pritur mirë nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit, të cilët janë shprehur të irrituar karshi Gjykatës së Lartë, duke i bërë thirrje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të ndërhyjë për vendosjen e drejtësisë ose në të kundërt kërcënuan ata për vetëgjyqësi. "I themi edhe njëherë Presidentit të dalë në vlerat e tij dhe në vendin e tij që ka, si president dhe si kryetar i KLD-së, ose të vendosë drejtësi ose ne familjarët e Gërdecit do të kalojmë në vetëgjyqësi, nuk ka më rrugëzgjidhje për ne",- thanë ata në dalje të derës së institucionit më të lartë të drejtësisë, të cilët për shkak të mungesës së avokatëve u detyruan të shtyjnë seancën gjyqësore.


Por, është po kjo Gjykatë e cila edhe në dy seanca të tjera ka vendosur shtyrjen e gjyqit, fillimisht për ndarjen e çështjes mes të pandehurit Fatmir Mediu dhe 28 të pandehurve të tjerë të tragjedisë së Gërdecit dhe në rastin tjetër të mos prezencës së gjyqtares Irma Balaj e cila u diagnostifikua me një sëmundje të rëndë, që bëri të japë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes.


Ndërsa, dje duhej të niste shqyrtimi i dosjes se veçuar të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nga 28 të pandehurit e tjerë, pasi vetë deputeti pa imunitet akuzohet për "shpërdorim detyre", gjë që sipas prokurorisë solli më pas tragjedinë e Gërdecit.

Strategjia


Mediu, në pritje që të rimarrë mandatin e deputetit
Shtyrja e gjyqit nga avokatët mbrojtës të Fatmir Mediut ka si synim zhvlerësimin e procesit si dhe anulimin e tij.


Burime nga grupi i prokurorëve të çështjes pohuan dje se strategjia e ish-ministrit të Mbrojtjes është që të shtyjë procesin deri në momentin që ai do të marrë sërish mandatin e deputetit në legjislaturën e re.


Në këtë moment duhet që prokuroria të rinisë kërkesat për heqje imuniteti, kuvendi ta marrë në shqyrtim e të votojë këtë kërkesë dhe një sërë procedurash të tjera që e shoqërojnë.


Në këto kushte gjyqi do të shtyhej për të paktën edhe disa muaj të tjerë duke hequr krejtësisht vëmendjen e opinionit publik nga skandali më i madh në Shqipëri. "Mbrojtja ka arritur ta marrë shtyrjen e parë.


Deri tani nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore dhe seanca tjetër është në shtator, atëherë kur mblidhet kuvendi i ri. Në këtë moment Fatmir Mediu rimerr imunitetin dhe e gjithë procedura duhet të nisë nga fillimi",- thanë burimet e prokurorisë.


Sipas tyre, e gjithë strategjia e mbrojtjes është përqendruar në këtë pikë ndërsa gjykata është e pafuqishme që të marrë masat që gjyqi të zhvillohet në kohë.

-----------------------------------------------------------------------------------------

Familjarët e Gërdecit kërcënojnë për vetëgjyqësi

TIRANË- Edhe në seancën e djeshme gjyqësore ndaj deputetit pa imunitet Fatmir Mediu, familjarët e viktimave të Gërdecit nuk munguan. Ata menjëherë pas shtyrjes së seancës gjyqësore për mungesë të avokatëve mbrojtës, u shprehën të irrituar për mos vazhdimin e gjykimit ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.


"Avokatët nuk u paraqitën në gjyq, pasi ishte bllokuar tuneli "Rrëshen-Kalimash" dhe qenkan në Kukës e nuk mund të vinin duke kërkuar të shtyhet seanca gjyqësore, që Gjykata e pranoi duke e shtyrë për me datën 14 shtator.


Kjo për ne, familjarët, do të thotë një vrasje e dytë që na bëhet tashmë nga Gjykata. Avokatja jonë kërkoi fjalën, kryesuesi i seancës nuk ia dha të drejtën e fjalës. I tha jeni palë e palegjitimuar. Dhe i tha kush jeni ju? Kush jemi ne? Jemi të dëmtuar. Atëherë kush duhet të jetë në atë sallë? Ata prokurorë që nuk kanë gjë, ata gjyqtarë që nuk kanë dhimbje?


Ne jemi ata, familjarët e viktimave dhe gjykata nuk i dha të drejtë. Kështu po ndodh e do të vazhdojë të ndodhë shtyrja. Ne për 14 shtator, mendojnë se Mediu merr imunitet tjetër, prokuroria nuk ka të drejtë të bëjë më hetime dhe Mediu del i pafajshëm nga kjo Gjykatë.


Atëherë i themi edhe njëherë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të dalë në vlerat e tij dhe në vendin e tij që ka, si president dhe si kryetar i KLD-së, ose të vendosë drejtësi, ose në familjarët e Gërdecit do të kalojmë në vetëgjyqësi, nuk ka më rrugëzgjidhje për ne",-thanë njëzëri të irrituar para gjykatës familjarët e 26 viktimave të tragjedisë së Gërdecit. F.Vezaj

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›