"Letër Topallit nga Akademia e Shkencave e Kosovës"
E nderuar znj.Kryetare! Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në mbledhjen e saj të datës 12.12.2007 diskutoi lidhur me njoftimet që kanë qarkulluar në mjetet e informimit publik dhe lidhur me letrën që na është drejtuar nga Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, për lëvizjet e reja që janë ndërmarrë lidhur me nxjerrjen e akteve ligjore për reformimin e mëtejmë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Tashmë jemi në dijeni për lëvizjet që janë bërë lidhur me institutet e hulumtimit shkencor që kanë qenë në përbërje të Akademisë dhe me lëvizjet e tjera. Për këto çështje Kryesia e ASHAK-ut, në bazë të letrës që ia kishte dërguar Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e kishte shprehur mendimin e vet publik me kohë.
Letra e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Propozimi për plotësimin e Ligjit për Akademinë që është shpallur në faqen e internetit të Qeverisë na kanë shtyrë të mendojmë dhe për disa gjëra ndërkohë. Pa dashur të ndërhyjë në rrjedhat e proceseve reformuese në fushën e shkencave dhe të dijes në Shqipëri, por duke u nisur nga interesi i parmë i saj i bashkëpunimit me Akademinë e Shqipërisë, ashtu si dhe nga ndjenja e solidarizimit me kolegët dhe me institucionin e Akademisë, Kryesia e ASHAK-ut konsideron së me këtë rast është e nevojshme të tërhiqet vëmendja lidhur me ato nene dhe pika të Propozimit që, sipas mendimit të saj, e cenojnë autonominë e Akademisë dhe shkaktojnë vështirësi lidhur me konceptimin e përgjithshëm të institucionit. Për të mos hyrë në detaje, këtu do të theksojmë posaçërisht disa momente:
institucioni i Akademisë, që është institucioni më i lartë i shkencës në vend duhet ta gëzojë autonominë e vet dhe prandaj të ketë të drejtë t'i zgjedhë organet dhe përfaqësuesit e vet në mënyrë demokratike, sipas ndërgjegjes së anëtarëve të tij dhe në përputhje me ligjet ekzistuese të vendit; anëtarët e Akademisë kudo në botë zgjidhen në bazë të meritave dhe të punës së tyre të mëhershme në fushën përkatëse, e cila nuk mund të (zh)vlerësohet retro-aktivisht, prandaj në Akademi nuk trajtohen si nëpunës të shtetit; kjo do të thotë: një herë anëtar i akademisë, gjithmonë anëtar i akademisë. Kjo nuk ka të bëjë me rregulloret e punës në institucion. Shkelja e këtij parimi na duket cenim i rëndësishëm i konceptit për akademinë dhe anëtarin e akademisë, të cilit po ashtu i garantohet autonomia e plotë dhe integriteti; vetëm në këtë mënyrë Akademia dhe akademikët japin ndihmesën e tyre maksimale për të mirën e vendit; nëse organet e akademisë duhet ta zgjedhin udhëheqjen e vet, e rrugë tjetër nuk ka, ajo udhëheqje do t'i përgjigjet trupit që e ka zgjedhur, ndërsa bashkërisht si institucion Parlamentit, Qeverisë apo instancës tjetër të caktuar me ligj, por në radhë të parë opinionit.
Zonja Kryetare, të bindur së do ta mirëkuptoni këtë reagim të Kryesisë së ASHAK-ut, Ju lusim të bëni ç'është në dorën tuaj për të evituar përcaktimet ligjore që mund ta cenojnë autonominë e institucionit më të lartë të shkencës në Shqipëri dhe me këtë ta dëmtojnë edhe vendin. Na duket së një nismë e tillë ka nevojë për diskutime të mëtejme.
Nuk na duket e tepërt të theksojmë me këtë rast, Zonja Kryetare, së në do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë shkencor me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë edhe në të ardhmen dhe po ashtu duam ta ritheksojmë solidaritetin tonë me kolegët e nderuar. Njëherësh shprehim besim të plotë së institucioni që drejtoni ju do t'i shqyrtojë seriozisht dhe me durimin e nevojshëm të gjitha nismat në këtë fushë dhe do të marrë vendime në të mirën e shkencës dhe të popullit.
Me nderime, Akademik Rexhep IsmajliKryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
PS: Kjo letër i dërgohet Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zonjës Jozefina Topalli si edhe Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor Ylli Popës