Ne, të telendisurit
Kur ditën që presidenti italian Xhorxho Napolitano takonte kreun e Shtëpisë së Bardhë, gazeta prestigjioze amerikane "New York Times", nxirrte në faqe të parë titullin e Italisë, vendin e të palumturve, kombi italian u gjunjëzua moralisht. Nuk ishte një shpikje e gazetës më të njohur në botë ai titull që personifikonte qytetarët e një vendi ku gatuhet dhe jetohet mirë e bëhet qejf, por ishte rrjedhim i një anketimi qytetarësh, një përmbledhje opinionesh të figurave qendrore të jetës politike dhe sociale të Gadishullit Apenin. Tre ditët pas sondazhit, ishin një axhendë e ngjeshur reflektimesh për kombin me mbi 60 milionë banorë, me figura të ndritura të së shkuarës dhe të sotmes që aq shumë i kanë dhënë botës ekonomike, sociale dhe kulturore, për të shpjeguar se pse ka ngecur mekanizmi i ecjes së jetës së italianëve, krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera të Europës së Bashkuar.
Dje ishte radha jonë. Ashtu si në shumë dekada të shekullit të kaluar, edhe këtë dekadë të shekullit të ri, jemi më të varfrit e Europës. E thotë "Eurostat", Zyra Europiane e Statistikave që na rendit ndër vendet europiane, por, atje, në vendin e turpit. Atje, në fund fare, ku jemi qytetarët me fuqinë më të ulët blerëse, ndër 37 shtetet që shtrihen nga Deti i Veriut deri në Detin e Zi dhe atë Egje. Shumë-shumë larg nga luksemburgasit, që kanë fuqinë blerëse mbi dy herë e gjysëm më shumë se mesatarja e 27 vendeve të Europës së Bashkuar, ku ëndërron të anëtarësohet ndonjëherë Shqipëria, shumë larg nga fqinji jugor Greqia, që është afër mesatares europiane, vendi nga ku vjen shumica e parave të emigrantëve tanë dhe njëherësh, vendi ku përfundojnë miliardat e shërbimeve kryesore telekomunikative që u ofrohen shqiptarëve. E, mandej, jemi sa gjysma e kroatëve dhe tetë pikë më poshtë maqedonasve, vende këto, që së bashku aspirojnë të marrin në prillin 2008 ftesën për të aderuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Vendi i fundit, në renditjen e 37 vendeve nga "Eurostat", nuk mund të jetë një lajm që do ta tronditë qeverinë e Shqipërisë. Ranglista të mëparshme e kanë fundosur këtë vend, historikisht më të prapambeturin në Europë, dhe të tretin më të korruptuarin në botë siç na renditi 10 ditë më parë, Raporti i Transparency International. Kjo qeveri që ka hyrë në dimrin e tretë, ka treguar se është shumë e pandjeshme ndaj raporteve dhe statistikave të huaja dhe se është aq e pacipë sa sot të porosisë statisticienët që ka nën hyqëm që të nxjerrë një përmbledhje statistikore për vitin 2007, ku të thuhet se si i rrit GDP-ja, si u ul papunësia, si i ulën çmimet për mallrat e konsumit, si u ul kushtimi në ndërtim, apo strehim.
Problemi ka qenë dhe mbetet ndërgjegjja e ulët qytetare e banorëve më të telendisur të Europës. Këtyre njerëzve të mirë, që pranojnë nëpërkëmbjen nga kasta e radhës në pushtet, e cila e kishte pikë të rëndësishme të programit qeverisës shpërndarjen e drejtë të të ardhurave nga ekonomia publike, eliminimin e atij hendeku të thellë social që për të tretin dimër radhazi është bërë një hon i pakalueshëm mes një grushti njerëzish të babëzitur, që nuk dinë ku t'i strukin miliardat e fituara me abuzime dhe një shumice të mjerë, që nuk dinë se çfarë do të hanë nesër. Vit pas viti, ne qytetarët më të telendisur të Europës kemi komentuar dhjetëra-milionë eurot e shtuara në llogaritë e deputetëve biznesmenë të të gjithë krahëve, kemi përllogaritur qindra-milionë eurot për rroga, dieta, shërbime, shpërblime dhe sekretare të ligjvënësve tanë, qindra-milionët për rinovimin e parkut të automjeteve, luksin e zyrave të qeveritarëve dhe institucioneve të pavarura që kryesojnë listat e më të korruptuarve.
Dimër pas dimri, kemi përgojuar qindra-milionë eurot që shkasin nëpër prokurime të drejtpërdrejta për blerje energjie, apo (mos)bërje veprash infrastrukturore. Dhe kemi mbetur vendi ku gjysma e popullsisë mezi ka mbi 1 dollar në ditë për të mbijetuar, në një treg konsumi ku nivelet e qeverisjes janë mpleksur me spekulantët për të fituar edhe nga buka e përditshme, ku spekulimi me tregtinë e lirë po falimenton edhe atë pak prodhim të biznesit vendas, që mezi është ringritur, mes sfidash të shumta dhe rreziqesh financiare nga krizat që krijon mos qeverisja.
Dimër pas dimri, Kryeministri ynë ka nxjerrë dhjetëra nisma për ta bërë këtë qoshe të begatë të Mesdheut, vendin më joshës për biznesmenin dhe turistin e huaj, por ata nuk kanë ardhur, dhe ata që morën mundimin, nuk do të vijnë sërish në vendin më të pashpresë të Europës.
Por, si edhe këtë dimër, ky vend është qoshja e ngrohtë e batakçinjve që kemi mbi kokë, ne, qytetarët më të telendisur të Europës.