E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Një këshillë nga Kukësi për faqen time të preferuar"

Së pari, desha të uroj gazetën "Shekulli" për të gjithë opinionet e shprehura në këtë faqe prej kaq e kaq vitesh, që në njëfarë mënyre kanë qenë pasqyrë e realitetit shqiptar. Shtypi i përditshëm shqiptar përgjithësisht ndiqet rregullisht nga lexuesit, ndoshta nganjëherë bëhet edhe i bezdisshëm, por prej asaj që lexuesit nuk kanë hequr dorë, është pikërisht kjo faqe e letrave dhe e komenteve që ka përzgjedhur për qytetarët gazeta "Shekulli". Unë e lexoj rregullisht dhe si unë shumë të tjerë, pavarësisht prej bindjeve politike që kanë njerëzit apo gazeta në fjalë. Madje unë shoh që ka njerëz që e blejnë gazetën pikërisht vetëm për të lexuar këtë faqe, sepse në këtë faqe lexuesit gjejnë shumë e shumë komente dhe opinione, larg ngjyrave politike, që jo pak janë bërë të bezdisshëm për lexuesin shqiptar. Por unë do kisha një surgjerim për ata që mbulojnë faqen e kësaj gazete, se: "duke ditur që kjo faqe nuk përfaqëson qëndrimin politik të gazetës", atëherë unë kam mendimin që këtu të hidhen në letër dhe të botohen përshtypjet përgjithësisht të letrashkruesve, pavarësisht nëse janë pro ose kundër qeverisë në pushtet, kuptohet nëse shkrimi përmbush anën etike për t'u botuar, sepse aty qëndron sharmi i tërë kësaj faqeje. Duke qenë të pranishme të dyja anët e medaljes, lexuesit janë të tërhequr më shumë dhe konkretisht nxjerrin edhe konkluzione më të qarta për çka ndodh këtu në Shqipëri, se në fund të fundit populli i thjeshtë është një nga lexuesit më të mëdhenj dhe gjithashtu është kjo gazetë që ka ekskluzivitetin e kësaj faqeje dhe për rrjedhojë lexuesit janë mësuar të gjejnë diçka ndryshe këtu. Populli kërkon të dijë se ç'ndodh, ai është i painformuar mirë, kurse sa për pushtetarët, ata "çfarë mbjellin do korrin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›