E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e drithit në tregun botëror janë ulur me 200%, në Shqipëri 0%

Nga Fitim Zekthi

Çmimet e drithërave në tregun shqiptar janë duke u sjellë shumë më keq se sa sillen çmimet e karburanteve. Ato nuk pasqyrojnë aspak uljen me rreth dy herë të çmimit të drithërave në tregun e huaj. Të dhëna zyrtare tregojnë se çmimet e të gjitha produkteve me bazë drithërat, duke nisur që nga mielli, buka, makaronat, orizi etj., janë të pandryshuara. Çmimet e bukës masive janë ato që ishin në momentin që tregu botëror njohur rritje me mbi dy herë të çmimit të grurit. Sot, buka në tregun shqiptar është 80 lekë dhe ajo ka një masë prej 800 gramësh. Ky qe standardi që u vendos në pranverë të këtij viti. Çmimet prej 60 lekësh të bukës u shndërruan në 80 lekë dhe masa e bukës u ul. Kjo gjendje tashmë është e njëjtë. Çmimet e shitjes me pakicë të miellit janë rreth 90 lekë për kilogram. Në bursat e huaja çmimet e drithërave kanë rënë me dy herë. Korrjet e këtij viti e tejkaluan plotësisht krizën dhe rezervat në drithë të botës janë ndër më të mëdhatë e gjithë viteve të fundit. Jo vetëm gruri, por edhe misri e disa lloje të tjera drithërash janë ulur më saktësisht me dy herë në tregun botëror. Mbajtja e çmimeve të larta të miellit në Shqipëri është përkthyer drejtpërdrejt në çmime të larta të të gjitha produkteve me bazë miellin, si buka, makaronat etj. Fakti që buka është një konsum masiv dhe i përditshëm dhe po ashtu janë edhe shumë produkte të tjera me bazë miellin, e bën shumë më të detyrueshme që vëmendja të kthehet menjëherë aty nga entet qeveritare që merren me konkurrencën dhe spekulimet e tregut. Në ndryshim nga tregu i karburanteve, i cili uljen me tri herë të çmimeve në tregun e ka përkthyer në ulje me 15 për qind të çmimeve në tregun vendas, tregtuesit e miellit dhe të drithërave e kanë përkthyer uljen me dy herë të çmimeve të tregut të huaj në zero për qind në vend. Fakti që familjet shqiptare shpenzojnë mesatarisht rreth 38 për qind të totalit të tyre të shpenzimeve për ushqime është i mjaftueshëm për të treguar sesa shumë ky spekulim rëndon mbi ta. Në totalin e shpenzimeve për ushqime një familje shpenzon rreth 30 për qind për ushqime që kanë bazë drithërat. Sasia e drithit që vjen nga importi është më shumë sesa 60% e asaj që shpenzohet. Pjesa tjetër vjen nga prodhimi vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›