E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush e bën korrupsionin në Shqipëri?!

28/01/2005  

Në kohën e diktaturës njerëzit kishin frikë, pasi ishte plotësisht e mundur që të arrestoheshin për diçka që ata vetë nuk ishin të ndërgjegjshëm nëse kishin bërë apo jo. Shoqëria shqiptare ishte përballë një Kodi Penal fiktiv, pa të drejtë penale reale, për mbrojtjen e individit e të sigurisë juridike. Sot, kur Kodi Penal dhe e Drejta Penale ekzistojnë për mbrojtjen e rendit publik e, gjithashtu për jetën dhe pronën e personave privatë, shoqëria shqiptare sërish ka frikë dhe ndjehet e pasigurtë, e pambrojtur dhe shpesh e terrorizuar. Ajo pret që ligji të veprojë njësoj mbi të gjithë snjerëzit, zyrtarë apo politikanë qofshin, që i kundërvihen apo veprojnë kundër kësaj të drejte penale, e që në fund të fundit çon në një formë tjetër të sundimit të ngjashme, përsa i përket pasojave ndaj njerëzve të thjeshtë, me atë të diktaturës. Sot njerëzit hezitojnë dhe kanë frikë të merren me një aktivitet në ekonominë e tregut të ndershëm dhe, sidomos nuk e fshehin frikën e të paturit sukses në të, pasi në qoftë se në periudhën e diktaturës njerëzit me prirje demokratike kishin frikën e burgut, sot njerëzit e ndershëm me prirje në ekonominë e tregut kanë frikë nga konkurrenca e pandershme. Të shumta dhe të përditshme janë rastet që trondisin gjithë vendin, ku mënjanohen njerëzit e thjeshtë të biznesit vetëm për faktin se, ata kanë punuar ndershmërisht, me aftësitë, djersën e tyre dhe mundin e të afërmve. Sapo kanë bërë pak vend apo emër të mirë në një drejtim të ekonomisë së tregut, si dhe duke mos qenë të lidhur apo pjesë "taksapaguese" e hallkave apo klaneve kriminale, ata mënjanohen, zhyten apo eliminohen me forma të tipit mafioz. Kjo argumentohet me faktin se, deri më sot kurrë s'kemi dëgjuar që t'u hyjë gjëmb në këmbë drejtuesve të biznesit të madh, importues të kafes apo cigares, naftës apo elektronikës, sheqerit apo orizit, të bananeve apo vezëve, të farmaceutikë-kozmetikës apo letrës.

Cilët janë këta? A mendoni ju se mund të bëjë importimin e dhjetëra mauneve me cigare apo kafe, ajo klasë e shoqërisë tonë, konsumatore e përditshme, që paguhet nga 10.000-15.000 lekë në muaj, të cilët janë mësues e nëpunës shteti, inxhinierë e ushtarakë?! A mund të importojë naftë apo pajisje elektronike ajo klasë e shoqërisë, që njihet me emrin të papunë e pensionistë, me asistencë e rrogë 3.000-7.000 lekë në muaj?! A mund të bëjnë importimin e vaporëve me banane apo vezë, njerëz, të cilët qëndrojnë në sheshin para "Ushtarit të panjohur", të cilët me sakrificat e tyre sigurojnë edhe jo 5.00 lekë në ditë?! A mund të importojnë letër dhe ilaçe dhjetëra gazetarë apo mjekë, farmacistë të punësuar, të cilët me profesionin e tyre shpesh nuk janë garant për ushqimin e familjeve të tyre?!

Pa dyshim që jo. Atëherë cilët janë këta? Nuk e di përse për dreq më kujtohet "Apologjia e vërtetë e Sokratit" (Kostas Varnalis) në këto momente: "Kusarët - thoshte i famshmi Sokrat - janë ata që na kanë mbledhur e na thonë: "Ju do të punoni për ne dhe ne do t'ju qeverisim. Kush nuk dëshiron të bëjë si themi ne, ai... Kemi dëgjuar shpesh nga këto akuza pa emra konkret! A nuk kërkojnë pikërisht këto organet e drejtësisë shqiptare, emrat?

A nuk ishte kryeministri aktual, ish disa herë kryeministër i vendit, i cili i dha emrat publikisht në KPD-në e Partisë më të vjetër në vend? A ju kujtohen deklaratat publike të profesor Meidanit, ish-president, mbi korrupsionin dhe inkriminimin e klasës politike shqiptare? Kujt i ka humbur kujtesa le t'i kujtojmë letrën e kryetarit aktual të partisë me inicialet LSI, ish-kryeministër i Shqipërisë, drejtuar Presidentit, Kryetarit të Kuvendit Popullor, Prokurorisë, Trupit Diplomatik të akredituar te ne si dhe gjithë organizmave ndërkombëtare, mbi kërcënimet serioze për eliminimin e tij fizik. Aty janë përmendur edhe emra. A nuk ishte deputeti Dritan Prifti, ish-kryetari i Korporatës Energjetike, i cili akuzoi me emra? Po kështu, deputeti Erjon Braçe, akuzon me emra një ish-ministër për "dreka pune" me njerëz të inkriminuar, në hotelin e gjuetisë Lezhë. A nuk akuzoi ish-ambasadori amerikan, Xhejms Xhefri, për baronët e krimit? Të vimë më pranë në kohë. E freskët deklarata e Presidentit aktual, Moisiu, ish-zëvendësministër i epokave, për veshjen e krimit me imunitet politik. Apo deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish-këshilltar juridik i emëruar i presidentëve Berisha e Meidani, që në Shqipëri prodhohet droga. Po kështu, deklarata e ministrit të Rendit, Toska, ish-gjyqtar, i cili konstaton se krimi është futur në politikë dhe media. A nuk ishte deputeti "socialist" Lesi, i emëruar si i tillë nga gjykata, kryetar aktual i PDK-së, ish-gazetar, në krah dhe opozitar i opozitës së sotme, i cili deklaron në Parlament fakte tronditëse mbi trafikantët në Shqipëri, apo për krim dhe fshehje të tij, mbi ngjarjen e Shkallnuerit?

Nuk dua të përmend këtu emrat që opozita shpall në mënyrë periodike në konferencat e saj. E së fundmi, komuniteti ndërkombëtar e deklaron Shqipërinë si vend i trafikimit të qenieve njerëzore, të drogës dhe të prostitucionit. Citojmë këtu raportin mbi kushtet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të Telefonit jeshil, prezantuar më datë 19 nëntor 2004, në Romë, sipas së cilit, 2000 fëmijë janë zhdukur duke u trafikuar ilegalisht në Greqi dhe Itali, për t'iu nënshtruar transplancioneve. Fakte rrënqethëse tregojnë se një djalë i porsalindur tregtohet për 50.000 euro, ndërsa një vajzë 30.000 euro, 10.000 euro kushton një mëlçi dhe 25.000 euro një veshkë. E këtu duhet t'i bëj të qartë lexuesit se, kur na akuzon Evropa si vend i trafikimit të qenieve njerëzore, nuk bëhet fjalë për një e dy raste, por për mijëra. Kur akuzon Evropa për trafik droge, nuk bëhet fjalë për një e pesë kilogramë drogë, por për toneleta të tëra. Ky trafik fitimprurës në përmasa marramendëse, i drejtuar nga klanet kriminale, nuk mund t'u kalojë nën hundë qeveritarëve dhe politikanëve tanë, të cilët po mundohen me të gjitha format dhe mënyrat për ta "penguar" dhe "luftuar" këtë fenomen e me lloj-lloj masash, duke projektuar programe "lufte" me "aleatët" e tyre ndërkombëtarë andej dhe këtej detit, e duke ndërruar kryedoganierë, kryepolicë e ambasadorë. Ky trafik nuk mund të bëhet nga ajo klasë e shoqërisë buxhetore shqiptare që përmenda më lart dhe, njëkohësisht as pa dijeninë e ndihmën e drejtuesve të strukturave të shtetit. Siç shikohet, akuzat dhe kundërakuzat, emrat dhe mbiemrat, deklarohen nga njerëz, të cilët kanë drejtuar dhe vazhdojnë të drejtojnë Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›