E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rasti i Kosovës, dhe shprehja "fati ndihmon guximtarët"

"Audentes fortuna iouvat", (Fati u ndihmon guximtarëve). Kosovarët duhej të tregonin vendosmërinë e tyre, gjer në vetëflijim, në luftën për liri në fund të viteve 90. Vetëm kjo ishte ajo që kërkohej prej tyre si një imperativ i kohës. Faktori i jashtëm mund të ishte ky ose ai, kështu ose ashtu, sipas bllokut (Lindje, Perëndim, Islam) dhe sipas përmbajtjes së armatimeve (për luftë guerile, për luftë frontale apo dhe raketore, me rreze të ulët, të mesme apo të lartë). Kosovarëve iu dha mundësia, përkatësisht, drita e gjelbër nga Perëndimi (nënkupto Amerika), vetëm për armatime të lehta, të zonjat vetëm për të shkaktuar problem humanitar dhe jo për ta çuar deri në fund luftën për liri. Fati e deshi që ky armatim të mos u sigurohej direkt nga Perëndimi, por nga depot e hapura të Shqipërisë gjatë krizës së vitit '97. Përcaktimi i fatit të luftës sipas cilësisë së armatimit, përkatesisht, rrezes së veprimit të raketave, është i njohur tashmë qysh nga luftërat egjiptiano-izraelite të viteve '60-'70, kur sovjetikët merreshin vesh me amerikanët për të mos tejkaluar nivelin e furnizimit të egjiptianëve me raketa të llojit që do ta prishnin baraspeshën në armatim dhe në rrezikim. Mendoj se një gazetë marksiste austriake kishte të drejtë kur qortonte Perëndimin në vitet '98-'99 për të mos ndërhyrë direkt kundër serbëve, por për t'u dhënë armatime të mjaftueshme dhe cilësore shqiptarëve në Kosovë. Vetëm në rast të një baraspeshe në armatime, mund të flitet për aftësi apo gjenialitet strategjik në fushën e luftës. Në të gjitha rrethanat e tjera dhe për të gjitha vendet në botë, fati i luftës përcaktohet nga superfuqitë, jo vetëm për një vend minor si Kosova 2-milionëshe, por qoftë edhe për shtete të mëdha me nga dhjetëra apo qindra milionë banorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›