E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e la të lirë Fatmir Kajollin?

Bëhet fjalë për shtetasin Fatmir Kajolli, i arrestuar në Fieri, pasi ishte dënuar në Itali me 40 vite burg për trafik droge dhe një sërë veprash të tjera kriminale.

Ai kërkohej që nga viti 2003, por u arrestua vetëm dy ditë më parë, teksa gjatë këtyre viteve jo vetëm që kishte ngritur aktivitete në fushën e bizneseve, por ishte angazhuar edhe në politikë, ku për dy mandate ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit nga radhët e Partisë Republikane.

Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme akuzojnë njëra-tjetrën se pse ky shtetas u la pa u arrestuar teksa qarkullonte lirisht nëpër qytet.

Prokuroria e Përgjithshme thekson në një reagim se nuk është detyra e saj për të arrestuar persona që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe që janë në listën e Interpolit. Në rastin konkret, këto lista janë pjesë e Interpol Tiranës, e cila është sektor në Drejtorinë e Policisë.

“Për të sqaruar edhe procedurën që ndiqet në këto raste, personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të çdo vendi. Zyra kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë në lista të plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar.  Në bazë të kësaj praktike, strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në cdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me iniciativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi kjo është në kompetencën e tyre të plotë. Në këto kushte, sqarojmë opinionin publik, se Prokuroria Shqiptare, nuk është institucioni të cilit autoritetet e huaja i komunikojnë listën e personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Reagimi erdhi pasi Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha se listën e personave të shumëkërkuar është në Prokurorinë e Përgjithshme. “Bëhet fjalë për raste të cilat kërkohen nga shteti italian, për persona të cilët janë dënuar me vendime të formës së prerë nga gjykatat e shtetit italian. Ka një numër, por ky numër nuk është në Policinë e Shtetit, është një listë e cila nga autoritetet italiane i është adresuar Prokurorisë. Në momentin që Prokuroria është e gatshme, i jep urdhrin policisë për të vepruar në terren”, tha Nishani një ditë më parë.

”Ju e dini që ne nuk kemi ekstraduar asnjë shtetas shqiptar pa një marrëveshje ekstradimi me Italinë, e cila është nënshkruar vetëm pak kohë më parë. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, autoritetet italiane i dërguan një listë me emrat e kërkuar prokurorisë dhe është prokuroria ajo që lëshon mandatet për ekzekutimin e ndalimit, arrestimit dhe më pas hyn në proceset e ekstadimit”, deklaroi Nishani.

Fatmir Kajolli është dënuar në vitin 2002 në shtetin fqinj me 40 vite burg, ku fillimisht 16 vite është dënuar nga një gjykatë në Romë dhe më pas është dënuar me 14 vite burg të tjera nga një gjykatë në Milano. Gjithashtu, ai është dënuar edhe me 160 mijë euro gjobë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-11 08:30
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›