E Diel, 1 Nëntor 2026

Rialokimi i fondeve, qeveria ruan paratë e “ARMO”-s për krizën e 2009-s



Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje vetëm me votat e maxhorancës, përmes debatesh të forta, aktin normativ të qeverisë për rialokimin e rreth 12 miliardë lekëve fonde, të cilat do të përdoren për qëllime të ndryshme. Frika nga kriza ekonomike, e cila do të ndjehet në fillim të vitit 2009, e ka detyruar Ministrinë e Financave që të ndryshojë skemën e përdorimit të parave nga privatizimet. Deri tani fondet nga shitja e aseteve publike janë përdorur për investimet publike dhe reduktim të borxhit publik. Por një pjesë të shumës prej 125 milionë eurosh nga shitja e kompanisë së naftës “ARMO”, Ministria e Financave do ta lërë rezervë për 3-mujorin e parë të vitit 2009, kohë kur kriza të japë efektet negative në ekonominë tonë. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, “janë lënë rezervë rreth 600 milionë lekë vetëm për t’i hedhur në treg në rast nevoje”. Ky fakt, sipas Bodes, do të bëjë që rritja ekonomike të mos bjerë dhe efektet negative të minimizohen. Ai u bëri sërish apel bankave që të vijojnë me kreditimin e ekonomisë. Gjatë diskutimit të Aktit Normativ në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, opozita kritikoi ashpër Ministrinë e Financave, e cila, sipas saj, nuk i ka bërë transparente paratë e përfituara nga privatizimet. Opozita e cilësoi këtë akt si “një korrigjim që i bëhet buxhetit të shtetit për të treten herë”. Ndërsa Financat e paraqesin atë si sukses të mbledhjes së të ardhurave. Deputeti socialist, Arben Malaj, tha se “akti normativ përbën në vetvete ndryshim të buxhetit nga ana e qeverisë”. Sipas socialistëve, qeveria po bën përpjekje për të fshehur trendin në rënie të ekonomisë. Sipas deputetit Malaj, “rënia e të ardhurave është me 5 për qind të GDP-së”. Por ministri Bode i është përgjigjur se paratë nga shitja e “ARMO”-s nuk nevojiten këtë vit, por do të përdoren vitin tjetër. Akti Normativ rishpërndan 12 miliardë lekë, para të pashpenzuara nga fondet e kontingjencës, por edhe nga investimet e pakryera. Nga këto para 2.7 miliardë lekë do t’i jepen KESH-it për të siguruar energji elektrike, 600 milionë lekë për OSSH-në, për faturat e ujësjellësve të Tiranës dhe Durrësit, për energjinë e përdorur për shpërndarjen e ujit, si dhe rreth 2.7 miliardë do të marrin shpërblim pensionistet dhe buxhetorët, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për financimin e projekteve madhore në infrastrukturë. Akti Normativ pritet të miratohet në Kuvend brenda ditëve të mbetura të këtij viti.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›