Avokatët: “Vendorët e Kasharit nuk kanë abuzuar me pronat”
Avokatët e të pandehurve të dosjes “Kashari” i kërkuan dje trupit gjykues pafajësi për klientët e tyre. Gjatë seancës së radhës, mbrojtja dha versionin e fundit duke shpjeguar argumentet ligjore se përse klientët e tyre nuk duhet të dënoheshin. Ish-kryetari i Komunës së Kasharit, që akuzohet për abuzime me pronat, rrezikon 12 vite burg. Prokurori i dosjes, Armand Gurakuqi, kërkoi një seancë më parë masa të rrepta dënimi për të pandehurit gjatë seancës së djeshme. Masa e dënimit, që u kërkua nga prokuroria, ishte për Alfred Sulën 12 vite burg dhe 15 milionë lekë gjobë; për Ismail Sulën 10 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë; për Faik Fejzën 9 vite burg dhe 10 milionë lekë gjobë; për Islam Sherën 8 vite burg dhe 6 milionë lekë gjobë; për Bardhyl Kamberin 2 vjet provë me kusht; për Shefqet Alikon 6 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë dhe për Xhevahir Hykën 7 vite burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Pretenca cilësohet si më e ashpra për masën e dënimit të zyrtarëve ndër vite. Pritet që në seancën e radhës trupi gjykues të japë vendimin për të pandehurit duke vendosur kështu nëse vërtet këta zyrtarë vendorë kanë abuzuar apo jo me pronat e banorëve të zonës së Kasharit.
23 Dhjetor 2008