E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planifikimi i territorit, si do të bëhen ndërtimet në bregdet sipas ligjit të ri

Plani i ri parashikon rregullimin e të gjithë territorit të vendit. Çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi

Ervin Koçi

Projektligji "Për planifikimin e territorit" në Republikën e Shqipërisë synon të nxisë dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, përmes përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore. Një plan të tillë duhet që ta përgatisin të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit në bazë të planit kryesor që do të përcaktohet nga qeveria. Në bazë të këtij plani rregullues synohet t'i jepet një forcë më e madhe planifikimit të detyruar, si një proces ku çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, tha dje gjatë debatit të zhvilluar me grupet e interesit mbi këtë projektligj synohen të respekton parimet për zhvillimin e territorit. "Ligji ndan më qartë dhe delegon një numër më të madh kompetencash drejt autoriteteve të pushtetit vendor, si dhe ruan dhe konsolidon konceptin e pranimit të heshtur, pra i heqjes së barrave të tepërta që shpesh herë përdoren si mekanizma abuzimi në kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit", - tha ministri Olldashi.

Projektligji

Projektligji "Për planifikimin e territorit" i jep një forcë më të madhe planifikimit të detyruar, si një proces ku çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi; ndan më qartë dhe delegon një numër më të madh kompetencash drejt autoriteteve të pushtetit vendor si dhe ruan dhe konsolidon konceptin e pranimit të heshtjes, pra i heqjes së barrave të tepërta që shpesh herë përdoren si mekanizma abuzimi në kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit. Projektligji vendos detyrime ndaj administratës nëse nuk përgjigjet në kohën e caktuar nga ky ligj, duke e konsideruar lejen të mirëqenë. Ai synon në të njëjtën kohë të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit në nivel kombëtar e vendor në bazë të balancimit të burimeve natyrore, nevojave ekonomike e njerëzore dhe interesave publike e private duke bashkërenduar mbrojtjen e burimeve natyrore si toka, në veçanti toka bujqësore, ajri, uji, pyjet, peizazhet, krijimin e garantimin e territoreve të ndërtueshme të organizuara në mënyrë të harmonizuar e funksionale duke i dhënë përparësi mundësisë së banimit për të gjitha shtresat ekonomike, nxitjes së investimit për ushtrimin e veprimtarive ekonomike e sociale, lehtësimit të përdorimit të shërbimeve publike, të transportit dhe infrastrukturës, përfshirë territoret e përshtatura. Projektligji mbështetet gjerësisht në parimet europiane dhe ndërkombëtare, si Axhenda 21 e Kombeve të Bashkuara "Për zhvillim të qëndrueshëm", Marrëveshja "Për perspektivën e zhvillimit hapësinor Europian". Ai është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Programin Politik të Këshillit të Ministrave. Ai siguron decentralizimin e plotë të kompetencave si në hartimin e instrumenteve planifikuese, ashtu dhe në miratimin e zbatimin e tyre. Është konsideruar se planifikimi do të ishte më i arritur nëse realizohet nga ai nivel i qeverisjes, i cili është më i ndjeshëm ndaj problematikës dhe mund të vlerësojë objektivisht nevojën për zhvillim.

Grupet e interesit

Në vijim të diskutimeve të zhvilluara në tetor 2008, në një takim të organizuar me përfaqësues të MPPTT-së, bashkive, komunave, qarqeve, Shoqatës së Ndërtuesve dhe Arkitektëve, grupeve të tjera të interesit dhe në prani të ministrit Olldashi u bë paraqitja dhe diskutimi i variantit final të projektligjit për "Planifikimin e territorit". Sipas projektit të MPPTT-së, hartimi i tij ka si qëllim nxitjen e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore në nivel kombëtar e vendor, garantimin e burimeve të furnizimit të mjaftueshëm, garantimin e kushteve të sigurisë së jetës dhe të shëndetit, rendit publik dhe sigurisë kombëtare, por edhe nxitjen e zhvillimit të balancuar rajonal. Projektligji përcakton gjithashtu mekanizmat e duhur të transparencës për zhvillimin, hartimin dhe miratimin e planeve, duke i bërë ato pjesë të diskutimit publik me të gjithë aktorët. Diskutimet u fokusuan kryesisht në dy pika kyçe si marrëdhënia pushtet qendror-pushtet vendor, duke qenë se në Shqipëri procesi i decentralizimit është një proces i ri, dhe në një nga vendimet politike të qeverisë Shqiptare që është ajo e futjes dhe në lejet e ndërtimit të parimit të miratimit në heshtje. Aktorët kryesorë të pranishëm në këtë tryezë mbështetën versionin final të projekt ligjit, shprehën mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me të si dhe domosdoshmërinë e dërgimit sa më të shpejtë të këtij dokumenti për miratim nga Këshilli i Ministrave e më pas nga Parlamenti. Projektligji "Për planifikimin e territorit" pritet të kalojë të mërkurën në Këshillin e Ministrave dhe më pas do të diskutohet në Parlament.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›