Kush e qëlloi qytetarin nga Ruzhdia?!
TIRANE- Pa dyshim që pritej të ndodhtë kjo që po ndodh ne Ruzhdie. Me sa duket, po mbyllet cikli i veprimtarisë kriminale... të skuadroneve të ton makutëve. Nuk mjaftohen vetëm me vjedhjen e votave. Me vjedhjen e votave ka përfunduar gjysma e “heroizmit” të skuadroneve të zeza të ton ton makutëve. Detyra e tyre nuk është të vetëm vjedhin votat, as të falsifikojnë firmat e votuesve në listë, të cilët nuk janë prezent për të votuar...Këta e kanë për detyrë që të kryejnë edhe gjysmën tjetër të veprimtarisë heroike, atë të mbrojtjes së vjedhjes që kanë kryer dhe të zbardhjes së faqes për ustallarët e tyre. E pra, duket se të vjedhësh e të manipulosh rezultatin zgjedhor është vetëm gjysma e detyrës, dhe kjo jo vetëm për ushtrinë e ton ton makutëve. Kjo vijë sjelljeje është e njëjtë që nga ushtari me i thjeshtë i skuadroneve të specializuara për vjedhjen e votave, deri në krye të piramidës. Të gjithëve na vjen ndërmend indinjimi i zëdhënësve të Partisë Demokratike për largimin e komisionerëve të majtë nga qendra e votimit!...Por, vallë si mund të harrojnë shqiptarët se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për ta njohur rezultatin e manipuluar të kutisë së Ruzhdies?!...E pra, si mund të ndahet veprimtaria e komisionerëve të djathtë të Ruzhdies nga ajo e stafit elektoral të PD-së dhe të kryeministrit apo kryetarit të KQZ?!...Filli që lidh veprimtarinë e gjithsecilit është i qartë, për të qenë të saktë fare e kulluar është edhe ndarja e detyrave sipas hierarkisë në piramidën zgjedhore e shtetërore. Ton ton makutët, si nivel i ulët, kanë për detyrë të vjedhin e manipulojnë procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve në qendrat e votimit dhe të numërimit, kurse niveli i lartë, të mbrojë e certifikojë rezultatin e manipuluar nga ton ton makutët. Me sa duket, niveli i lartë iu ka dhënë garanci ton ton makutëve, që atyre nuk do t’iu hyjë asnjë gjemb në këmbë, përkundrazi!... Po të kujtojmë pamjet nga qendra e votimit (në ditën e votimit) të Ruzhdies, dhënë nga media e pavarur, do të ndiejmë drithërimë nga falangat e ton ton makutëve që valëvitnin flamujt e posterat e Partisë Demokratike. Sjellja e tyre të kujton skuadrën e terrorit të Arturo Uise, vetëm se ky i fundit nuk dilte në skenë. Qytetarët para qendrës së votimit kërcënoheshin e terrorizoheshin si të ishin skllevër, dhe jo qytetarë të lirë në një vend demokratik. Do të mjaftonin vetëm ato pamje që një njëri me mendje të kthjellët, i papërzier në këtë çorbë të distancohej nga ajo maskaradë zgjedhore, të kërkonte ndëshkimin e autorëve dhe të shpallte nul rezultatin zgjedhor të kësaj qendre votimi. Kjo duhej bërë nga kryeministri, duhej bërë nga kryetari i KQZ dhe jo thjesht për mos u njësuar me ta, por sepse ketë ua kërkon ligji dhe vetëm ligji. Për fatin tonë të keq nuk ndodhi as denoncimi i veprimtarisë së tyre, as distancimi, dhe as mos njohja e rezultatit. Përkundrazi, KQZ me gjakftohtësi certifikoi rezultatin, zëdhënësit dhe udhëheqësit e PD-së i mbrojtën dhe ende po i mbrojnë publikisht manipulatorët e zgjedhjeve dhe shkelësit e ligjit në Ruzhdie. Nuk e di se çfarë mund të bëjnë më shumë këto dy institucione dhe këta titullarë për të na provuar që janë të lidhur në të njëjtin zinxhir të ndryshkur me vjedhësi dhe manipulatorët e zgjedhjeve. Dhe, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo pafytyrësi, ton ton makutët vepruan edhe me forcën fizike. Arsyeja e ftohtë të shtyn të pyesësh; ku e gjejnë këtë fuqi këta derbederë?! Pa dyshim se ata nuk janë aq trima siç u shfaqën, por “trimëria” e tyre qëndron tek ideatorët e veprimtarisë së tyre. Ruzhdia tregoi se në Shqipëri nuk janë bërë dhe nuk do të bëhen zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta, nëse nuk do të ndëshkohen ata që kanë vjedhur e manipuluar zgjedhjet në vijimësi, pavarësisht se ku ndodhen e kush janë ata. Që zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 janë manipuluar jo vetëm në Ruzhdie, kjo nuk ka dyshim. Ne vetë qarkun e Fierit dihet se ka edhe kuti të tjera, që kur u hapen në KQZ folën shumë më tepër se rezultati brenda kutisë. Zgjedhjet e 2009-s ishin njësoj të manipuluara si edhe ato të qershorit 1996, vetëm se në mënyrë më të organizuar, të kontrolluar e të sofistikuar. Por, nëse paria e shtetit krenohet me atë që bënë komisionerët e djathtë në Ruzhdie, por jo vetëm atje, ne shqiptaret ndjehemi thellësisht të turpëruar. Por jo vetëm kaq, me keq ndihesh kur dëgjon analistë të “pavarur”, të cilët justifikojnë e mbrojnë ton ton makutët e Ruzhdies. Këta analistë “të pavarur” e përdhosin nurin e tyre deri sa arrijnë të thonë “...përse i latë hajdutët të vjedhin, edhe pse ata ishin të armatosur dhe nën mbrojtjen e qeverisë!...” Sa keq dhe sa turp! Le ta heqin matrikullin e të pavarurit dhe pastaj të flasin si të duan, nëse vetë ata nuk ndihen keq. E theksova ketë që të them se qytetarin nga Ruzhdia nuk e qëlloi vetëm ish- komisioneri i Partisë Demokratike me vëllain e vet, por Shteti, ministrat, deputetët, indiferentizmi i qytetarëve dhe analistët e pavarur...Por, kjo kategori e pushtetshme dhe të lidhur me pushtetin përmes shumë fijesh e interesash nuk e qëlluar vetëm qytetarin nga Ruzhdia, por të gjithë shqiptarët. Kjo shpurë qëlloi mbi të gjitha institucionet e shtetit, mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, bile edhe të “urtin” President. Kjo shpurë na ka turpëruar, na ka hedhur baltë dhe mbi të tëra, kërkon të na frikësojë, duke thënë se ne zgjedhjet i kemi vjedhur e do t’i vjedhim; i kemi manipuluar dhe do t’i manipulojmë, e ndërkohë Juve do t’iu mbyllim gojën, e pse jo po na bezdiset shume mund t’iu heqim të drejtën jo vetëm të votës, por edhe të jetës!...O zot, sa keq për ne, kur ata që na vjedhin edhe na rrahin, buzëqeshin me sarkazëm duke u kapardisur nga foltoret e pushtetit!
(G.SH/BalkanWeb)
(G.SH/BalkanWeb)