E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarja, zëdhënëse e Lega Nord: Lega mbron emigrantët

TOSKANE – Edlira Mahmutaj, 23-vjeçarja shqiptare është zëdhënësja e partisë Lega Nord në Itali. Zëri zyrtar i partisë ekstremiste italiane, thekson se do të jetë një zë për emigrantët, të cilët sic thotë ajo, nuk duhet të jenë klandestinë, por të rregullt në mënyrë që të integrohen.

Edlira Mahmutaj është vajza e një ish-emigranti të paligjshëm në Itali, historia e së cilës ngjan me atë të shumë të rinjve shqiptarë në shtetin fqinj që janë përballur me një rrugë të vështirë drejt integrimit në shoqërinë e këtij vendi.

Mediat italiane tregojnë sesi babai i Edlirës kohë më parë mbërriti në Itali si klandestin e më pas siguroi një qëndrim të rregullt atje, ndërsa ajo studioi në fakultetin e Gazetarisë dhe u punësua nga Lega Nord si zëdhënëse, gjë për të cilën duket se nuk e ka penguar aspak biografia “shqiptare”.

Rasti i saj është komentuar nga mediat si një rast tipik i integrimit të një familje shqiptare në jetën italiane, duke dhënë shembullin më të mirë nga një vend që është përfolur më shpesh për negativitetet e tij, sesa për vlerat dhe virtytet që mban.

"Lega Nord është një parti që nuk është raciste dhe i dëgjon njerëz si ne. Unë dua t’u jap zë atyre njerëzve të cilët vijnë në Itali për t’u integruar në interes të emigrantëve dhe të vetë italianëve. Punoj në mënyrë që Lega të rritet më tepër, bashkë me të rriten edhe shpresat për njerëzit si unë.”, pohon Edlira, e pyetur nga mediat italiane.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›