Kush e vrau Bin Laden?

Televizioni amerikan, CNN, pohon se rrëfimi i publikuar në revistën ‘Esquire’ nuk është i vërtetë.
Para një muaji e gjysmë, revista amerikane ‘Esquire’ botoi rrëfimin ekskluziv të një pjesëtari të forcave speciale, i cili pohonte se ishte pikërisht ai që, duke shtënë me tre plumba në kokë, kishte vrarë terroristin e shumëkërkuar, Osama Bin Laen. Por, sipas tij, pas përfundimit të misionit ushtria e kishte larguar nga puna, duke e lënë pa mbështetje financiare, pa sigurim shëndetësor dhe pa asnjë lloj mbrojtjeje.
Por, televizioni CNN tani sjellë një rrëfim krejt tjetër, nga një pjesëtar tjetër i njësitit Seals, që kishte ndërhyrë brenda pronës së Bin Laden. Ky rrëfim konfirmohet edhe nga një zyrtar i lartë - por i paemëruar - amerikan. Në fakt, pjesëtari i Seals pohon se, ai dhe ekipi i tij ishin frustruar nga ajo që kishin lexuar në ‘Esquire’, sepse asgjë në tekst nuk ishte e vërtetë. Mirëpo, problemi ishte se nuk guxonin të flisnin asgjë publikisht, meqenëse, përveçqë e kishin të ndaluar të flisnin lidhur me aksionet, u duhej t’i ruanin edhe identitetet e tyre.
"Ai vërtet ishte i pari që u ngjit në katin e parë, dhe që e qëlloi Bin Ladenin në kokë, sapo ky i fundit hapi derën e dhomës së tij të fjetjes për të parë se ç’po ndodhte. Por, nuk e vrau. U fut në dhomë, për të vërtetuar se mos gratë që ishin bashkë me Bin Ladenin kishin mbështjellë ndonjë mjet shpërthyes rreth belit, për shkak se kjo ishte frika më e madhe gjatë organizimit të aksionit. Atëherë, në dhomë u futën dhe dy pjesëtarë të Seals, dhe shtien mbi gjoksin e terroristit, duke e lënë në vend atë”, sqaroi pjesëtari i Seals për CNN.
Sipas tij, nuk ka gjasa që kolegu, i cili pohon se ka vrarë Osama Bin Ladenin, të ketë parë një revole afër tij, meqenëse në vendngjarje janë gjetur dy revole, por vetëm pas përfundimit të aksionit. Të njëjtin rrëfim e konfirmoi për CNN edhe një zyrtar i lartë amerikan.
Po ashtu, pjesëtari i Seals që deklaroi se ishte larguar nga ushtria, sipas asaj që kolegu i tij i tha televizionit CNN, nga ky njësit elitar i ushtrisë amerikane ishte larguar për shkak se nëpër kafene të ndryshme kishte filluar të fliste për rolin e tij në aksion./Indeksonline/