Kush është Napoli, kundërshtari i Vllaznisë

Skuadra italiane e Napolit është themeluar në vitin 1904, ndërkohë që Vllaznia jonë është themeluar 15 vjet më pas, në vitin 1919. Napoli është një ndër skuadrat më të njohura italiane, pavarësisht se e ka fituar vetëm dy herë titullin kampion të Serisë A (1986-1987, 1989-1990) dhe ka dalë katër herë nënkampion i Italisë.
Napoli e ka fituar tri herë Kupën e Italisë dhe ka humbur edhe katër finale të kësaj kupe. Historikisht Napoli konsiderohet si klubi i nëntë më i suksesshëm në Itali, por vlerësohet si më i suksesshmi në Italinë e Jugut. Që nga viti i themelimit (1904) e deri më sot ka ndërruar pesë herë emrin zyrtar të klubit, për herë të fundit në vitin 2006.
Futbollisti më i famshëm që ka luajtur për Napolin është legjenda argjentinase Diego Armando Maradona, që vendosi edhe një rekord botëror për atë kohë për shumën e transferimit të tij nga Barcelona te Napoli për 12 milionë lira në vitin 1984.
Gjatë viteve të Maradonës (1984-1991) Napoli fitoi edhe dy titujt e vetëm kampionë në historinë e tij. Aktualisht bluza me numër 10, e mbajtur nga Maradona është hequr nga qarkullimi. Me Napolin kanë luajtur emra të mëdhenj të futbollit italian si Ciro Ferara, Salvatore Banji, Fernando De Napoli, Xhanfranko Zola, Daniel Fonseka dhe Kareka.
Në kampionatin e fundit të Serisë A, Napoli i drejtuar nga tekniku Eduardo Reja u rendit në vendin e tetë, duke siguruar një vend për në turin e tretë të Kupës Intertoto, nga arriti të sigurojë më pas dhe në vend në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA kundër Vllaznisë.
Në skuadrën aktuale të Napolit ka tetë lojtarë të huaj, katër prej tyre uruguajanë, dy lojtarë argjentinas, një brazilian e një sllovak. Kapiteni i Napolit është Paolo Kanavaro, vëllai i Fabio Kanavaros, kampionit të botës dhe mbrojtësit aktual të Realit të Madridit.
Ndryshe nga Vllaznia, që luan me fanella kuqeblu, Napoli luan me fanellë në ngjyrë blu.