E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani eliminohet nga Kupa UEFA

Barazimi 0-0 i Partizanit në Bosnjë krijoi besimin se të kuqtë ishin favoritët absolutë për të fituar takimin e kthimit të turit të parë eliminator të Kupës UEFA, aq sa dhe kompanitë më të madhe të basteve kishin vendosur kuota të ulëta për fitoren e të kuqve, por rezultati 1-3 për Shiroki Brijeg në "Qemal Stafa", prodhoi eliminimin edhe të nënkampiones së Shqipëirsë, ashtu si një javë më parë dështoi edhe kampionia Dinamo, po nga një skuadër boshnjake, Modrica dhe po me diferencë prej dy golash.
Partizani befasoi që në minutën e parë, kur në vend të mesfushorit me përvojë Paulin Dhembi (jo në gjendje të mirë shëndetësore), luajti i riu Arbër Capo, i cili regjistroi takimin e dytë të tij ndërkombëtar. Fillimi i takimit ishte pa rritëm, por me një Shirok me vështrim më shumë nga porta e Partizanit, të cilët befasuan jo pak në minutën e dhjetë.
Goli i parë ishte një gabim i pastër i portierit të ri Edvan Bakaj, i cili nuk arriti të bllokonte gjuajtjen e Bubalo , i dha mundësinë brazilianit të Shiroki Brijeg, Aleksandre të shtynte topin në rrjetë.
Trajneri i Partizanit, Lika u befasua, ashtu si tifozët në shkallët e "Qemal Stafa". Vija e parë sulmuese e të kuqve ishte e zbehtë, dhe tekniku i "demave" u detyrua të zëvendësonte mesfushorin e Kombëtares, Elis Bakaj me talentin më të ri të Partizanit, 17-vjecarin Teodor Përlleshi pas vetëm 30 minutave lojë.
Në minutën e 40-të gjyqtari holandez akordoi një 11-metërsh për Partizanin, të cilin shndërroi në gol ish-futbollisti i Iraklisit të Selanikut, Gjergj Muzaka. 1-1. Lika qetësohet disi, por pesë minuta më pas, Aleksandre i riktheu sërish avantazhin boshnjakëve të "Ivanit të tmerrshëm" për të mbyllur pjesën e parë 1-2.
Pjesa e dytë nisi me më shumë vrull për Partizanin në kërkim të barazimit të rezultatit, por mesfusha e të kuqve nuk kishte forcë e qartësi, ndërsa sulmi thuajse inekzistent e me shumë plogështi, ku Marius Ngjela ishte tërësisht në hije në debutimin e tij të parë në kryeqytet.
Shiroki ishte më i organizuar dhe me pasime të fushta në mesfushë i ka "rrëmbyer" minuta të shumta Partizanit, që gjithsesi nuk e gjeti kurrë ritmin e duhur jo vetmë për t'i bërë presion boshnjakëve.
Në të 80', Lika duke parë rendimentin e ulët të Muzakës (jo në ditë të mirë), hodhi në fushë Fatjon Tafaj.
Në minutën e 83-të Shiroki realizoi golin e tretë dhe të kapitullimit të Partizanit, kur kapiteni Shilic u gjet i pambuluar brenda zonës, duke goditur mjeshtërisht me kokë brenda kuadratit të mbrojtur nga një Edvan Bakaj zhgënjyes.
1-3 dhe historia në "Qemal Stafa" mori fund ashtu si dhe aventura e Partizanit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›