Kush është njeriu që do drejtojë qeverinë e EURO-s
Lajmi për një qeveri ekonomike, që do kontrollojë ecurinë e monedhës evropiane, është pritur me skepticizëm. Tregjet kanë reaguar po me dyshime, britanikët janë tërbuar, opozita franceze po ashtu. Edhe opozita gjermane ka të njëjtën bindje: Po kurohen simptomat e jo shkaqet. Britanikët shkojnë edhe më larg, akuzojnë Gjermaninë se tani po vendos krejt Europën nën kontroll. Ky është Rajhu i Katërt, shkruan një analist. Atë çka nuk e arriti me luftë, po e arrin me ekonomi Gjermania. Një qeveri që do mbajë nën kontroll EURO-n, një politikë e përbashkët fiskale, d.m.th shumë shtete nën kontrollin e Gjermanisë. Opozita në Francë ka kryqëzuar Sarkozinë. Thonë se ka bërë lëshime për Merkelin, sidomos sa i përket çështjes së eurobonove. Gjermanët thonë se masat nuk janë të mjaftueshme megjithatë. Ata e shohin ekonominë e tyre në rënie dhe druhen se masat që kanë ndërmarrë për të shpëtuar shtetet e tjera, do dëmtojnë Gjermaninë.
Në këtë lojë e ka kush e ka, më shumë peshë mbi shpinë do ketë njeriu që do qeverisë tani e tutje euro-n, Herman Van Rompi. Ai është propozuar nga Franca e Gjermania për të drejtuar qeverinë e re ekonomike. Ajo do përbëhet nga krerët e shteteve, që do mblidhen më së paku dy herë në vit.
Ai cilësohet si një figurë e zbehtë, por efektive.
I lindur në vitin 1947 në Eterbek të Belgjikës, ekonomisti dhe filozofi ka 30 vite në jetën politike.
Ai ia ka dalë të sjellë në qetësi politikën belge, edhe pse ka qëndruar vetëm një vit si shef qeverie.
Në vitin 2009, babai i katër fëmijëve u emëruar presidenti i parë i Këshillit të Bashkimit Europian.
Avantazhi i tij: Shpesh e nënvlerësojnë.
Në kohën e lirë pëlqen të shkruajë tregime dhe libra. Kryesisht me temë kryesore etikën.