E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush fitoi në Serbi?

Skënder Minxhozi 

Zgjedhjet serbe zunë natyrshëm faqet e para të shtypit, kryesisht për surprizën që sollën 102 vendet e fituara nga partia e moderuar e presidentit Boris Tadiç, me 39 për qind të votave. Ka qenë nga shumë anë një rezultat i papritur, për krahun politik që sot konsiderohet si i moderuar dhe europianist dhe që para zgjedhjeve shihej si i shtypur nën peshën e një nacionalizmi të “galvanizuar”  nga pavarësia e Kosovës. Tadiç fitoi, Nikoliç u detyrua të pranojë se është ridimensionuar dhe tkurrur, por kjo skemë e re që del nga zgjedhjet serbe nuk e shuan sadopak amullinë disavjeçare nëpër të cilën endet Serbia e sotme. Boris Tadiç ka shpejtuar të kumtojë, nga pozitat e fituesit politik të zgjedhjeve, se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pra, se nuk do t’i përdorë votat masive të serbëve të moderuar, për të hedhur një hap që sot për sot konsiderohet si tabuja gjithëpërfshirëse në spektrin politik serb, përjashtuar liberalët, të cilët edhe ata e kaluan pragun e hyrjes në parlament. Baleti i përqindjeve dhe kulisat post-zgjedhore nuk lejojnë që partia fituese, qoftë edhe me një diferencë të ndjeshme nga radikalët e Nikoliç, të ndryshojnë sadopak qëndrim ndaj një çështjeje që vulosi të gjithë fushatën elektorale në Serbi. Madje, që e provokoi atë në një farë mënyre. Porse dika shihet qartë qysh. Nëse Tadiç do të arrijë të krijojë një koalicion që do t’i lejonte të kapte shifrën magjike prej 126 vendesh në Parlament (pragu i domosdoshëm për të krijuar qeverinë e re), axhenda serbe do të njihte një spostim të dukshëm, nga ajo që dukej se do të ishte linja e rikthimit të nacionalizmit serb, si modë dhe si metodë pushteti në Serbi. Tadiç nuk do ta ketë të lehtë të krijojë shumicën qeverisëse me këtë formulë të re politike që doli nga zgjedhjet, por nëse ai do të dilte triumfues nga negociatat që janë hapur në këto orë mes partive që e kaluan pragun e 5%, atëherë mund të thuhet me plot gojën se betejën e padukshme mes Evropës së Bashkuar dhe Rusisë, e ka fituar e para dhe e ka humbur e dyta.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës nga njëra anë dhe oferta evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duket se e futën përfundimisht në krizë balancën e brishtë mes radikalëve dhe të moderuarve në Serbi. Prej nga rrodhi edhe kriza aktuale, e cila prodhoi mesa po shihet, një rezultat surprizë, por që mund të mos e zgjidhë rebusin e pushtetit në vend.
Një situatë e tillë postzgjedhore zbulon në fakt se Serbia ka zgjidhur me këto zgjedhje, shumë pak nga lista e krizave politike, ku ndërthuren aspiratat europianiste të një pjese të popullatës, me inercinë nacionaliste dhe frymën anti-perëndimore, e cila mesa duket vazhdon të jetë e fortë në fqinjin tonë verior. Ndërkohë që kundërshtari i presidentit serb, Nikoliç, deklaron se do ta krijojë ai qeverinë e ardhshme (dhe shifrat thonë se teorikisht kjo mund të ndodhë), Tadiçit i duhet të nisë një operacion të vështirë rreshtimi të partive më të vogla, në favor të projektit të tij politik. Përtej partisë së kryeministrit Koshtunica, duhen bindur edhe socialistët pasues të Millosheviçit, dy forca politike që aktualisht gjenden më pranë radikalëve, sesa të moderuarve. Nuk dihet sesa bindëse do të jenë të dyja palët në formësimin e maxhorancave qeverisëse në ditët e ardhshme. Ajo që shihet këto orë, pas daljes së rezultateve të zgjedhjeve, është se edhe pas kësaj gare elektorale, vështirë që Serbia të ketë dalë sadopak nga qerthulli i dilemës Lindje-Perëndim, Evropë-Rusi, integrim apo izolacionizëm arkaik, modernizim apo konservim i një të shkuare që dihet mirë se ç’efekte ka prodhuar, jo vetëm për vetë serbët, por për të gjithë banorët e këtij rajoni. Në radhë të parë vetë shqiptarët.
Kosova qëndron në këtë sagë politike serbe si një palë e interesuar në atë që ndodh në kufirin e saj verior, por që në fund të fundit nuk është më subjekt i drejtpërdrejtë i asaj që ndodh në Beograd. Prishtina e sheh si një situatë win-win atë që po ndodh me zgjedhjet serbe, pasi një fitore e nacionalistëve të Nikoliçit do t’i jepte një arsye edhe më të qëndrueshme ekzistencës së shtetit më të ri në botë, ndërkohë që një instalim i një qeverie të moderuar në Beograd do të krijonte edhe për kosovarët më shumë premisa për qetësi dhe stabilitet në Kosovën veriore të trazuar nga fryma radikale e serbëve të shpërngulur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›