E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati “mallkon” Materacin



Presidenti i Interit, Masimo Morati u “kap” nga kamerat duke sharrë Marko Materacin pas barazimit me Sienën të dielën.
Zikaltërit mund të ngrinin trofeun në “San Siro”, nëse ata do të mundnin toskanët, por fundi i ndeshjes fiksoi barazimin 2-2, çka do të thotë se gara për titull do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit.
Në minutën e 78-të Interi pati shansin për të shënuar golin e fitores, kur fitoi një penallti. Edhe pse në gjirin e ekipit të tij, Marko Materaci e ndaloi Hulio Kruzin ta gjuante atë, ndërkohë që goditja e mbrojtësit u prit nga portieri Aleks Maninger. Presidenti Morati u pa në këtë çast shumë i mërzitur dhe teksa u ngrit më këmbë u kap nga kamerat t’i thoshte gruas së tij: “Materaci na humbi ndeshjen”.
Këtë fundjavë Interi do të ketë shansin e tretë dhe të fundit për të ngritur lart trofeun e kampionatit të dytë rresht të fituar në fushë, kur ata do të udhëtojnë drejt Parmës.
Verdheblutë, nga ana tjetër, kanë nevojë të fitojnë nëse duan të mbajnë gjallë shpresat për të shmangur rrënien, por thashethemet tregojnë se trajneri Hektor Kuper mund të shkarkohet përpara ndeshjes.
Argjentinasi, i cili zëvendësoi Mimo Di Karlon në muajin mars, ka fituar vetëm dy nga 10 ndeshjet e drejtuara prej tij, dhe është raportuar se ai tani ka humbur besimin e lojtarëve të tij dhe presidentit Tomaso Girardi.

Morati “kyç” gojën

Presidenti i Interit vendosi të mos flasë me shtypin gjatë kësaj jave, pasi formacioni i tij hodhi poshtë shanset të fitonte titullin gjatë fundjavës. Zikaltërit shpresonin të mundnin Sienën (2-2) në “San Siro” dhe të ngrinin titullin. “Unë do të jem i qetë gjatë kësaj jave dhe do të hesht”, - tha Morati për “Corriere dello Sport”. Interi duhet të fitojë me Parmën për të marrë titullin.

Kambiaso mbyll sezonin

Mesfushori argjentinas Esteban Kambiaso do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit pa një dëmtimit në kavilje në ndeshjen me Sienën. Ish-lojtari i Realit të Madridit do të mungojë në ndeshjen kundër Parmës në kampionat dhe finalen e Kupës së Italisë me Romën. Interi ka shumë dëmtime: Olivier Dakurt, Valter Samuel, Zlatan Ibrahimoviç, Ivan Kordoba, Santiago Solari, Luis Figo dhe Kristian Çivu.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›