Partizani në alarm: “Në “Selman Stërmasi”, mund të përdoren gurë”
E shtuna e 17 majit është “dita e së vërtetës” për futbollin shqiptar të këtij edicioni, që do të njohë edhe kampionin e ri të vendit. Dy skuadrat e kryeqytetit, Dinamo dhe Partizani, të cilat edhe kryesojnë bashkarisht kampionatin (Dinamo ka dy pikë më shumë se të kuqtë) do të përballen në “finalen” e dytë të këtij sezoni, pas asaj në të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana, të fituar me meritë nga skuadra shkodrane.
Dinamo është organizatore e takimit dhe klubi i presidentit Besnik Sulaj ka bërë të ditur përmes medias se ndeshja do të luhet në stadiumin e dytë të kryeqytetit, atë “Selman Stërmasi”, që njihet edhe si “shtëpia” e Dinamos, parë edhe faktin se me drejtuesit e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, atje ku Partizani ka luajtur gjithë edicionin, stafi dinamovit nuk ka marrëdhënie.
Pikërisht, fakti që Dinamo ka zgjedhur përfundimisht “Selman Stërmasin”, solli edhe kundërreagimin e klubit të Partizanit, që së fundi i ka drejtuar një informacion me pesë argumente Federatës Shqiptare të Futbollit, e për dijeni edhe Ministrisë së Rendit Publik e Drejtorisë së Përgjithshme së Policisë, Tiranë, por dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.
“Stadiumi ‘Selman Stërmasi’ ka një kapacitet i cili nga licencimi që ka marrë nga UEFA-FIFA i janë bllokuar të dyja pjesët anësore ose me sakte 2/4 e kapacitetit” – thuhet në informacionin e dërguar institucioneve të lartpërmendura. “Një nga objektivat dhe qëllimet e organizatorëve të futbollit (FSHF) është afrimi i tifozëve në stadium dhe nuk do të ishte e denjë, që për arsye shumë mediokre të ekipit të Dinamos të privoheshin me mijëra tifozë për të mos parë ekipin e tyre, sepse këtij stadiumi i funksionon vetëm 2/4 e kapacitetit dhe është shumë e rrezikshme të administrohet edhe kjo pjesë”.
Klubi i kuq, që është në pritje të titulli të parë pas 15 vjetësh, që nga sezoni 1992-1993, beson se në stadiumin do të jenë të pranishëm më shumë se 30.000 tifozë. Klubi i Partizanit paralajmëron edhe rrezikun. “Pjesët anësore janë pa stola, në gjendje të rrënuar ku mund të bien në çdo çast, nëse vendoset të hapen për publikun, shto këtu që në këto pjesë ka edhe shumë materiale, të cilat mund të përdoren nga tifozët si copa gurësh, etj.”.
Rruga drejt titullit
Gjëndja e pikëve
Dinamo 64 pikë
Partizani 62 pikë
14 maj 2008
Vllaznia-Dinamo
Partizani-Skëndërbeu
21 maj
Dinamo-Partizani
Trofetë
Dinamo 16
I fundit, 2001-2002
Partizani 15
I fundit, 1992-1993
Dinamo në kërkim të barazimit
Duke pranuar (teorikisht) faktin se Dinamo fiton në Shkodër me Vlllazninë (presidenti Fushaj pranoi në “Ora Sport” se Dinamo është ekip më i mirë), dhe Partizani kapërcen edhe pengesën korçare (Skënderbeu ka rënë prej kohësh një kategori më poshtë), 17 maji do të shpallë edhe verdiktin e madh të Kampionatit të 69-të Kombëtar. Dinamos i mjafton edhe një barazim, nëse dy ekipet do të ruajnë diferencën prej 2 pikësh në favor të bluve, ndërsa Partizanit i mjafton vetëm fitorja për të fituar titullin që i mungon prej 15-vjetësh.
Pesë argumentat e Partizanit
1. Një nga objektivat dhe qëllimet e organizatorëve të futbollit (FSHF) është afrimi i tifozëve në stadium dhe, nuk do të ishte e denjë, që për arsye shumë mediokre të ekipit të Dinamos të privoheshin me mijëra tifozë për të mos parë ekipin e tyre, sepse këtij stadiumi i funksionon vetëm 2/4 e kapacitetit dhe është shumë e rrezikshme të administrohet edhe kjo pjesë.
2. Stadiumi “Selman Stërmasi” ka një kapacitet, që nga licencimi qe ka marrë nga UEFA&FIFA, i janë bllokuar të dyja pjesët anësore ose më saktë 2/4 e kapacitetit.
3. Pjesët anësore janë pa stola, në gjendje të rrënuar ku mund të bien në çdo çast nëse vendoset të hapen për publikun, shto këtu që në këto pjesë ka edhe shumë materiale të cilat mund të përdoren nga tifozët si copa gurësh etj.
4. Nga informacionet që ne zotërojmë, duke parë që në këtë ndeshje do te përcaktohet skuadra kampione për sezonin 2007-2008, do të jenë të pranishëm në stadium më shumë se 30.000 tifozë,
5. Rrezik do të jetë administrimi i tifozëve si jashtë dhe brenda stadiumit duke parë rrethimin e keq të stadiumit “Selman Stërmasi” si dhe pamundësinë e mijëra fansave për tu futur në stadium.
Cana merr në mbrojtje kolegun
I kritikuar shpesh qysh prej mbërritjes së tij te Olimpiku i Marsejës në vitin 2006, Ronald Zubar duket se ka gjetur një mbrojtës me peshë të madhe në skuadër, pikërisht kapitenin shqiptar Lorik Cana. “Kur unë luaj me Ronaldin, unë ndjej në siguri të madhe”, - tha Cana për faqen zyrtare të klubit. “Ndoshta ka ende nevojë për pak më shumë eksperiencë në raport me lojtarë të tillë si Zhivet e Rodrigez, por me shpejtësinë dhe fuqinë e tij mund të bëjë shumë punë. Ai është bërë për Olimpikun e Marsejës dhe unë shpresoj se mund të qëndrojë me ne”, - siguron Loriku.
13 Maj 2008