E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezarta Skifteri, “Haute Couture 2008” në pasarelën shqiptare

Stilistja ka prezantuar dje 40 veshje të reja të koleksionit të saj të fundit. Ngjyra të ëmbla, bizhu, fjongo, lule, gurë të shdritshëm, dantella e flutura

Ngjyra të ëmbla, delikate, efekte të forta, bizhu, fjongo, lule, gurë të shdritshëm, dantella, flutura. Një rikthim që të kujton tendencën e viteve ’30, bie në sy te koleksioni më i ri i stilistes shqiptare Rezarta Skifteri, i cili është prezantuar mbrëmjen e djeshme në pasarelën e Hotel Sheraton. Janë 40 veshje të reja që përfaqësojnë koleksionin më të fundit të Skifterit “Haute Coutore 2008”. Kësaj radhe, Skifteri ka vendosur të çudisë me stilin që prek shumë detaje të viteve ’30. Ka vendosur të sjellë mbi pasarela femrën sensuale, trasparente, të portretizuar bukur jo vetëm me 40 veshjet e saj por dhe me të gjithë aksesorët, bizhutë, këpucët e sandalet të cilat gjithashtu janë të stiluara nga duart e saj. Pra në këtë koleksion gjithçka është “Made in Skifteri” dhe e punuar me dorë. Nga skicat e saj në letra, për fustanet, zhuponët, fjongot, lulet, bizhutë, sandalet, tylërat… puna ka vijuar me vrull në sallën e rrobaqepësisë në atelinë e saj, në kapanonin e madh të fabrikës së këpucëve ku u realizuan sandalet e kështu me radhë. Ndaj për krijimin e këtij koleksioni stilistes i janë dashur plot 3 muaj pune. Modelet që ka zgjedhur për të prezantuar 40 vjeshjet e saj, janë vajzat e njohura të pasarelave. Krahas Linda Podës do të jetë dhe Jorida Malltezi, Silvi Skënderaj, Rezarta Shkurtaj, Orinda Huta, etj. Këto modele, ndryshe nga sfilata e shkuar nuk do të sjellin në pasarela femrën e fortë, të mbuluar me zinxhirë e precina por femrën sensuale, të brishtë, të zhytur në luks. Ashtu siç kanë qenë pak a shumë femerat e viteve ’30, stil, të cilit stilistja i është referuar për krijimin e shumë detajeve dominuese në koleksionin e saj “Haute Couture 2008”. Materialet e përdorura nga Skifteri në këtë koleksion kanë qenë zhuponi, tylet trasparente të kuruara me dorë, tafta, coha metalike, etj. Ndërkaq, ngjyrat mbizotëruese janë roza antike, nuancat e bojëqiellit, gurëkalit, viola e lehtë, si dhe nuancat e të zezës me të bardhën e panës. Përsa u përket aksesorëve, buzhutë janë të punuara me dorë dhe të stolisura me gurë “svvarovski”. Sfilatën e saj të parë stilistja Skifteri e realizoi qysh në bangat e Liceut Artistik, kur maturën do ta mbronte me nje sfilatë të vërtetë me veshje mbrëmjeje. Kështu do të vepronte dhe katër vjet më pas kur do të mbronte, po me një sfilatë të vërtetë, diplomën e Akademisë së Arteve. Në këtë sfilatë ajo do të çudiste jo pak me veshjet e realizuara duke përdorur filma, shkarpa, copa gazetash e shumë detaje të tilla të pazakonta. Njëherësh, stilistja e re i kishte pushtuar spektaklet televizive me fantazitë e saj. Më 1995-n Skifteri prezantohet për publikun si stiliste me sfilatën që u realizua po atë vit në Teatrin Kombëtar në kryeqytet. Në vitin 1999, ajo do të prezantonte Shqipërinë në një sfilatë në Ukrainë ku merrnin pjesë 12 stilistët më të mirë nga bota, të grup moshave 20-30 vjeç. Sfilata e fundit e stilistes i përket vitit të kaluar kur ajo prezantoi koleksionin e saj në “Javën e modës shqiptare”.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›