E Diel, 1 Nëntor 2026

Ymer Pone, djali nga Berati, i gjetur në “Njerëz të humbur” pas tre vitesh



E shtuna mbrëma në “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, solli emocione që në orët e para të fillimit të saj. Histori të lëna përgjysmë në javët e kaluara u kurorëzuan me fundin e lumtur të bashkimit mes të afërmish. E tillë ishte historia e djalit nga fshati Bardhaj i Beratit, Ymer Pone. Pas tri javë kërkimesh brenda një kohe rekord u arrit të gjendej vendndodhja e tij në shtetin gjerman. Ndonëse mes shumë vuajtjesh të jetës nëna dhe motrat e Ymerit arritën të shihnin më në fund dritën në tunelin e errët që u kishte marrë prej vitesh të dashurin e tyre. Gëzimi i tyre nuk mund të përmbahej për asnjë çast. Njëra nga motrat e Ymerit, Edlira, erdhi me një pamje tërësisht të ndryshuar në studion e “Njerëz të humbur”, ndryshe nga javët e kaluara kur dhembja dhe brenga e vëllait i kishte pushtuar qenien. Këtë here kostumi i bardhë që mbante veshur fliste për gjendjen e saj shpirtërore tashmë të qetësuar. Sikurse drita e këtij kostumi, ashtu shkëlqenin edhe sytë e Edlirës, e cila nuk rreshti së falënderuari Aida Shtinon dhe stafin e saj që arriti të rivendosë kontaktet mes familjes dhe Ymerit. Mjaft emocionues ishte edhe momenti kur vetë Ymer Pone hyri në linjë të drejtpërdrejtë telefonike dhe foli me prezantuesen Shtino për disa minuta. Ai rrëfeu disa momente të jetës së tij në Gjermani pa u hyrë shumë detajeve. Ai tha se ishte emisioni “Njerëz të humbur”, që i kujtoi atij vitet e fëmijërisë dhe vitet e jetës së shkuar pranë familjes së tij, në shtëpinë e varfër të vendosur prej shume dekadash në fshatin Bardhaj të Beratit. Ishte pikërisht publikimi i historisë së tij në ekranin e Vizion Plusit që e bëri Ymerin të telefononte familjen dhe redaksinë e “Njerëz të humbur”. Mes të tjerave ai tha se kishte pasur mall për familjen dhe i kishte kujtuar shpeshherë, ndonëse jetesa e vështirë në shtetin e Gjermanisë ia kishte bërë të pamundur kontaktin me familjen, pasi ai jeton atje si emigrant ilegal. Ymeri i premtoi në lidhjen direke së motrës, Edlirës, se do të kthehej së shpejti në Shqipëri dhe se nuk do t’i humbiste më asnjëherë, për asnjë motiv kontaktet me pjesëtarët e familjes. Në fund të bisedës telefonike në studion e “Njerëz të humbur”, Ymer Pone falënderoi për të disatën herë stafin e këtij emisioni dhe vetë Shtinon për punën e madhe që po bëhet për t’i kthyer emigrantët e humbur pranë familjes, ose për të rivendosur lidhjet mes tyre. Me këto fjalë u mbyll përgjithmonë historia “Ymer Pone” me shpresën se nuk do të ketë më ndarje për këtë familje. E ndërsa “Njerëz të humbur” do të vazhdojë të hedhë hapa të tjerë për të gjetur gjurmët e të tjerë njerëzve të cilët priten me mall dhe dhembje nga familjet e tyre në Shqipëri. Ata duan vetëm të dëgjojnë zërin e tyre, kjo është gjëja minimale që kërkojnë nga të dashurit e tyre të humbur që tu rikthehet sadopak qetësia e shpirtit.

Aida Shtino zbulon deri në 2001-shin ekzistencën e Nevruz Brahilikës në Greqi

Intervista ekskluzive me pronarët grekë për fatin e Nevruz Brahilikës nxorën në pah fakte të reja rreth qëndrimit dhe punës që ai ka bërë në Greqi. Ka qenë vetë stafi i gazetarëve të “Njerëz të humbur” në Vizion Plus dhe drejtuesja e emisionit Aida Shtino që ka investiguar te shtëpia ku ka qëndruar Nevruzi si dhe ka mundur të takojë pronarët tek të cilët Nevruzi, i njohur në Greqi me emrin Thanasi, ka kaluar ditët e fundit para se të humbte kontaktet. Për herë të parë familjarët, por edhe teleshikuesit kanë parë dhomën ku ka jetuar Nevruzi së bashku me shokët e tij. Sendet e tij në atë dhomë i kanë sjellë ndërmend familjarëve kohën kur ai fliste rregullisht me ta në telefon. Nevruzi është larguar drejt Greqisë në 17 dhjetor 1999 në fshatin Zagliver dhe punon si bari te Kosta Karatekidhis. Tek ky punëdhënës ishin punësuar edhe dy shqiptarë të tjerë, Hamit dhe Qamil Mamica. Nga dëshmitë e fundit që familjarët kanë arritur të marrin, mësohet se natën e fundit që Nevruzi është zhdukur, ai ka qenë te Hamit dhe Qamil Mamica. Nga biseda që Aida Shtino ka realizuar me Kostën ai ka dëshmuar se dy vëllezërit Mamica dhe Nevruzi kanë pasur grindje të shpeshta me njëri-tjetrin, grindje të cilat kanë precipituar deri në dhunë fizike mes tyre. Por kjo gjë sipas tij ka ndodhur në vitin 1999 pasi më vonë Nevruzi ka ardhur në Shqipëri, ka marrë paratë e punës së bërë tek pronari dhe pas dy muajsh është rikthyer sërish në Greqi tek ai. Por çfarë ndodh! Kosta nuk e pranon më në punë, por e drejton atë te një pronar tjetër i quajtur Ilia Panopulos në fshatin Kallamatu. Atje Nevruzi punon si bari delesh për gati 8 muaj dhe në datën 10 gusht të vitit 2001 nën shoqërinë e pronarit Panopulos ai ka shkuar për të punuar në mbjelljen e domateve në fshatin Skulari. Që prej këtij viti ai nuk ka dhënë asnjë shenjë jete! Pronarët në intervistën e dhënë janë çuditur dhe surprizuar së tepërmi nga kjo zhdukje e djalit burrelas. Ajo që “Njerëz të humbur” ka zbuluar nga kjo bisedë ka qenë fakti se një vit më vonë, në vitin 2001 konfirmohet zyrtarisht nga Ilia se Nevruzi ka qenë gjallë dhe shëndoshë e mirë! Nga pronarët ai mbahej mend si një djalë punëtor, mjaft i respektuar nga të tjerët dhe korrekt në marrëdhënie me ta. Por ky investigim nuk ka mbetur vetëm te pronarët, por ka vazhduar më tej me kërkimet në terren me njerëz që mund ta kishin parë, takuar ose biseduar me Nevruzin në fshatin Skulari. Çuditshëm asnjëri prej tyre nuk e kishte parë asnjëherë atë. Bashkëbisedimi për rastin Brahilika vijoi të shtunën me tej me kërkimet që edhe korrespondenti i “Njerëz të humbur”, Jani Papa, kishte realizuar në Greqi për të zbuluar detaje të tjera për fatin e Nevruzit, i cili zyrtarisht i ka humbur kontaktet më 10 gusht 2001, një vit më vonë nga humbja e kontakteve me familjen e tij.

SHËNIM

“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›