E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush gënjeu dje në analizën e Tatimeve

08/01/2005  Pa dyshim që, ministri i Financave e ka patur të vështirë të kritikojë dje, drejtorin e Tatimeve. Petrollari e kish realizuar planin e vitit 2004, 98.5 për qind. Sipas Malajt, ai ka sjellë në arkën e buxhetit 210 milionë dollarë më shumë se sa ishte parashikuar. Por është sërish Malaj, që, pas lavdërimeve nuk harron të theksojë se informaliteti është akoma në masë të madhe. “Ky informalitet ‘formalizohet’ nga inspektorët tanë të vlerësimit dhe kontrollit, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit rrjedhje të konsiderueshme. Sigurisht, kjo bëhet në këmbim të rritjes së të ardhurave në buxhetet personale”, thekson ministri. Dhe sigurisht që ai ka të drejtë, ka të gjithë informacionin e nevojshëm për të vërtetuar këtë evazion. Sepse, ministri nuk gënjen, evazion ka, e dinë të gjithë. Por as Petrollari nuk gënjen, kur thekson se plani është realizuar 98.5 për qind. Ai ka sjellë në arkën e shtetit 66 miliardë lekë. Kjo është një shifër më e madhe se ajo e një viti më parë. Pra, të dy nuk gënjejnë. Logjikisht, ai që gënjen, mes ministrit, drejtorit dhe planit është ky i fundit, (por edhe planin këta të dy e bëjnë). Plani është realizuar 98.5 për qind, por nuk përfaqëson gjithë mundësinë që kanë tatimet për të mbledhur taksa e tatime. Plani përfaqëson vetëm një pjesë të kësaj mundësie. Kështu, plani gjithmonë realizohet afër 100 për qind dhe pjesa tjetër akoma e pamatur, shkon në xhepat apo “buxhetet” që nuk janë të shtetit. Përfundimi është shumë i thjeshtë. Shteti merr më pak para, tatimet nuk “vjedhin”, sepse realizojnë planin dhe biznese të “caktuara” vazhdojnë të jetojnë dhe të rriten pa paguar taksa dhe tatime. Rrjedhojat janë akoma më të thjeshta. Ato preken përditë nga 3 milionë shqiptarë. Janë më pak spitale, më pak rrugë, më pak shkolla, më shumë varfëri, më pak rritje pensionesh e pagash, më pak investime të tjera publike dhe më shumë njerëz të pasuruar shpejt, që, çuditërisht janë miq me njerëzit që hartojnë planet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›