E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet dështuan me sigurimet

08/01/2005  Malaj dhe Petrollari janë marrë vesh vetëm për sa i takon realizimit të planit të të ardhurave nga sigurimet shoqërore, ku duket se mendimi i të dy palëve ka qenë se Buxheti i Shtetit është dëmtuar nga niveli fare i ulët i realizimit të kësaj takse. Përsa i përket informatizimit, Malaj ka bërë të qartë në kritikat e veta se, ka dështuar programi për të mbledhur taksën e sigurimeve shoqërore nga tatimorët, duke mbetur në nivele të ulëta. “Analiza e treguesve të kontributeve të sigurimeve shoqërore për vitin që shkoi, dëshmon se duhet më shumë profesionalizëm, përkushtim dhe efikasitet për të përballuar sfidën e ngushtimit të diferencës së mbledhjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, në raport me vendet e tjera të rajonit”, ka kujtuar Malaj nivelin e ulët të realizimit, që nuk e kalon 50 përqindëshin. Ndërkaq, Petrollari ka pranuar se është punuar dobët në 2004-ën, duke premtuar se viti 2005 do të jetë deçiziv. ”Rritja e të ardhurave të kontributeve të sigurimeve shoqërore do t’i krijojë mundësi më të plota qeverisë për politikat e pensioneve dhe të asistencës sociale, pa rritur presionin mbi defiçitin”, ka deklaruar Malaj. Kështu, në 2005-ën, nga Buxheti i Shtetit do të jepen 2 miliardë lekë vetëm për pensionet, në një kohë kur pritej që sigurimet duhet të mbanin vetveten. “Puna do të përqendrohet në rritjen e numrit të të siguruarve, ashtu dhe për rritjen e nivelit të pagës, mbi të cilën llogariten këto kontribute”, ka premtuar Petrollari, për të ndryshuar kështu dy treguesit mbi të cilat zhvillohet më shumë evazioni fiskal. Sektori privat dhe biznesi i vogël do të jenë në qendër të vëmendjes së tatimorëve, për të bërë të mundur që në 2005-ën të merren të ardhura të kënaqshme nga taksa e sigurimeve shoqërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›