E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kush i gëzohet së keqes?!

28/02/2005  Të gjithë diplomatët që ishin në Kosovë, pastaj ata që e vlerësuan situatën nga Brukseli a Uashingtoni, thanë fjalë miradie, për gatishmërinë e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, për të bashkëpunuar me faktorët ndërkombëtarë në çdo aspekt. Por, asnjë përfaqësues i rëndësishëm i shqiptarëve, nuk është i gatshëm të bëjë kompromise në dëm të pavarësisë së Kosovës.

Debatet për Kosovën dhe për mënyrën e zgjidhjes së çështjes shqiptare, që janë problemet më të mëdha në Gadishullin Ilirik, po zhvillohen me intensitet të madh në institucionet ndërkombëtare. Propozimet herë janë inkurajuese, herë më pak inkurajuese, herë cysin optimizëm, ndonjëherë krijojnë aversion. Mirëpo, përgjithësisht, kjo çështje po shtrohet në tryezat e diplomacisë evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me shumë seriozitet. Një pjesë jo e vogël e këtyre debateve dhe e diplomatëve autoritativë, përqendrohen në faktin se kthim prapa nuk ka, se Kosova nuk do të jetë kurrë më me Serbinë apo me krijesën e mjerë, Serbi e Mal i Zi, se Jugosllavia ka vdekur. Prandaj, ashtu sikurse që ish-republikat e tjera e kërkuan dhe e gjetën fatin e tyre, me mbështetje të fuqishme të aleatëve, një gjë e këtillë duhet t’i lejohet dhe t’i pranohet edhe Kosovës. Natyrisht, se edhe ne duhet të mbështetemi të aleatët tanë, duke krijuar dhe joshur aleatë të rinj.

Bisedimet për fatin e Kosovës, kanë hyrë në agjendën ndërkombëtare. Mund të ketë taktizime, zvarritje, debate të gjata, mospajtime, pazare të ndryshme, por një fakt është i qartë: pa pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë qetësi në rajon, nuk do të përmbyllet kaptina e krijimit të shteteve të reja, duke e varrosur marrëveshjen e Versajës, së bashku me Jugosllavinë që më nuk është. Nëse shtetet e tjera të reja që i përkisnin arealit sllav, u shkëputën nga Serbia, është jologjike, e dhunshme, që një gjë e këtillë, të kërkohet nga shqiptarët, të cilët asgjë nuk i lidh me Serbinë, përkundrazi, i ndanë çdo gjë, ndërsa kemi shumë varre në mes, që nuk mund të harrohen.

Rezoluta 1244, që u imponua në situatën e caktuar, e cila e ka “zgjidhur’ përkohësisht çështjen e Kosovës, përkatësisht, përkohësisht i ka zbutur gjakrat, shihet qartë se nuk e zgjidh problemin në tërësi. Në një situatë të caktuar, ishte mbase e vetmja mënyrë për të vënë administrimin ndërkombëtar në Kosovë. Konservimi i kësaj çështjeje, vetëm mund të acarojë shqiptarët, ndërsa të joshë ambiciet joreale e të sëmura të Serbisë. Njëkohësisht, kjo rezolutë është bërë pengesë për zhvillimin ekonomik, politik e përspektivën sociale të Kosovës. Në fakt, mungesa e investimeve, krijon paperspektivë e depresion te brezat e rinj që duan punë e presin të krijojnë familje. Ndërkaq, pakkush do të investojë në një vend me status të pazgjidhur, sikurse që është Kosova.

Natyrisht, edhe Beogradi që është edhe më tutje qendra e së keqes dhe burim i krizës në Gadishull, është i vetëdijshëm se Kosova, kurrë më nuk do të jetë në asnjë asociacion me Serbinë, mirëpo taktizimi i tyre, duket se më shumë është çështje e përfitimeve të tjera, qofshin ato përpjekje për të zhvatur territore apo për të imponuar kompromise politike në plane të tjera. Në këtë lojë diplomatike, duket se e mbështesin edhe disa qarqe ndërkombëtare, që duan ta kenë ndikimin e fuqishëm në Gadishullin Ilirik. Faktorët që vendosin në këtë aspekt duhet ta kenë parasysh se, Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë, derisa ajo të konsolidohet apo derisa të forcohet ekonomikisht, ndërsa vendi ynë të varfërohet e të presë. Është e pritshme se serbët nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, mirëpo është shumë e rëndësishme, se qëndrimi i tyre nuk do të çojë peshë fare, në raportet ndërkombëtare.

Debatet për Kosovën këto ditë u intensifikuan edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pati vlerësime inkurajuese, ashtu sikurse pati edhe vlerësime, të cilat në fakt, nuk i përgjigjen realitetit të këtushëm, e që nuk na pëlqyen. Por, edhe kjo ishte në kuadër të spektrit diplomatik-politik që mund të dëgjohet në selinë e OKB-së në Nju-Jork, madje, edhe nga përfaqësuesi më i lartë. Natyrisht, edhe në vlerësimin e tij, pati inkurajime. Por, ajo që të habit, është mënyra e plasimit të këtyre vlerësimeve, sidomos, atyre që nuk na shkojnë për shtat e që në disa media tonat, prezentohet me pompë e zemërkeqësi, duke e intonuar në atë mënyrë thuajse, bie fjala, Anani, nuk e tha asnjë fjalë të mirë për Kosovën. Është, po ashtu e habitshme, që në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se ata i gëzohen se keqes, sepse nuk është hera e parë që pikërisht qëndrimet negative i plasojnë me pompë, ndërsa ato inkurajuese i injorojnë. Të gjithë diplomatët që ishin në Kosovë, pastaj ata që e vlerësuan situatën nga Brukseli a Uashingtoni, thanë fjalë miradie për gatishmërinë e përfaqësuesve të institucionevë të Kosovës për të bashkëpunuar me faktorët ndërkombëtarë, në çdo aspekt. Por, asnjë përfaqësues i rëndësishëm i shqiptarëve, nuk është i gatshëm të bëjë kompromise në dëm të pavarësisë së Kosovës. Por ato media që bëjnë seleksionim të këtillë negativ, sikur i gëzohen në mënyrë perverse “mosgatishmërisë” së faktorëve ndërkombëtarë, për ta pranuar pavarësinë e Kosovës. Në fakt, bosët e tyre më nuk janë zëdhënës të opinionit, por gatues të një opinioni ndryshe, që nuk është gjykimi ynë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›