E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu anuloi vizitën në Maqedoni: Pa karakter zyrtar

 

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e refuzoi ftesën e Presidentit maqedonas, Gjo-rgje Ivanov, pasi u sigurua se Shkupi nuk do ta presë me ceremoni zyrtare, siç ndodh zakonisht me kreun e çdo shteti. Më parë Presidenti e kishte pranuar ftesën, gjithmonë duke e konsideruara atë si një vizitë zyrtare, me qëllim për të shmangur acarimin e raporteve me këtë vend fqinj. Presidenti Sejdiu deklaroi për mediat se, në ftesën që ka marrë nga Shkupi bëhet fjalë për një vizitë zyrtare, duke shprehur besimin se vizita do të ketë këtë cilësi. Po ai paralajmëroi se nëse ndodh ndryshe, ai do të rishikonte qëndrimin e tij rreth kësaj vizite. “Kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare të Maqedonisë. E përsëris edhe një herë, për vizitë zyrtare me gjithë cilësinë që duhet të këtë një vizitë zyrtare. Prandaj, protokollet e njërit vend dhe tjetrit janë duke punuar dhe dua të besoj se vizita do të realizohet në këtë cilësi. Çdo qëndrim tjetër që mund të ketë dhe mund të krijojë iluzione te dikush, absolutisht do të jetë jashtë asaj që ne e kemi në objektiv”, u shpreh Sejdiu për mediat. Presidenti i Kosovës ka kujtuar se është i gatshëm dhe i angazhuar për të pasur raporte më të mira ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë dhe vendet e tjera të rajonit, duke vlerësuar se ato raporte ndërtohen, ushqehen me kontribut dhe me mirëkuptim reciprok. “Ne jemi për komunikime të drejtpërdrejta të protokollit të shtetit të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe unë ftesën e kam pranuar si vizitë zyrtare. Unë kam qëndrim shumë të qartë. Çdo lëvizje nga ajo do të më shtynte të rishikoj qëndrimin tim”, theksoi Presidenti Sejdiu. Diskutimet për marrëdhëniet mes shteteve lindën gjatë ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të ri maqedonas, Gjorgje Ivanov, i cili kishte ftuar të gjithë liderët e rajonit, ndërsa për Presidentin Sejdiu u sajua një lloj vonese dhe keqkuptimi për dërgimin e ftesës. Më pas, për të përmirësuar raportet, Preidenti maqedonas njoftoi se do të ftonte për vizitë zyrtare kreun e Kosovës më 28 maj. Presidenti Sejdiu tregoi tolerancë në lidhje me shpërfilljen gjatë inaugurimit dhe pranoi ftesën si vizitë zyrtare. Por më pas lindën diskutime të reja. Mediat në Maqedoni njoftuan se vizita e Presidentit Sejdiu do të ishte një takim i thjeshtë pune. Edhe autoritetet maqedonase kanë deklaruar gjatë ditës së djeshme, pas insistimit për detaje nga presidenca e Kosovës, se Presidenti Sejdiu do të pritet pa ceremoni shtetërore, pa gardën e Presidentit që pret çdo kryetar shteti, si dhe pa ngritur flamurin e Kosovës. Presidenca e Kosovës njoftoi më pas se, meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, presidenti Sejdiu nuk do ta zhvillojë vizitën e planifikuar. Tashmë marrëdhëniet me Maqedoninë dhe Kosovën mbeten pezull. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›