Thaçi akuza Gruevskit: Plan sekret që shpërfill shqiptarët
Lideri aktual i PDSH në Maqedoni, Menduh Thaçi, tha se koalicioni në pushtet mes VMRO DPMNE dhe BDI-së nga shqiptarët, nuk po trajton të drejtat e etnisë shqiptare dhe BDI-ja anon më shumë nga interesat e partisë së madhe në koalicion. “Multi-etniciteti në vend ka degraduar” tha Thaçi për gazetën e përditshme “Dnevnik”, duke akuzuar VMRO-DPMNE se po punon me një plan sekret për vendosjen në Maqedoni të statusit “shtet me një etni”, duke neglizhuar minoritetin shqiptar që përbën një të katërtën e popullsisë. Partia Demokratike Shqiptare ka propozuar një seri me rregulla të reja të bazuara në partneritet të vërtetë për etninë shqiptare. Si Partia kryesore shqiptare në opozitë, PDSH ka kërkuar edhe ndihmën e Perëndimit për miratimin e kësaj platforme, që shumë shpejt do ta paraqesë në Kuvendin maqedonas.