“Lista e Tiranës, nga i pari tek i 16-i jemi të barabartë
Adi Shkembi
Shefi i kabinetit të Kryeministrit, njëherësh kandidat për deputet në Tiranë, Arben Imami vlerëson të suksesshme punën e qeverisë, për sa i përket zgjerimit të lirisë ekonomike dhe luftës kundër krimit e korrupsionit në këta katër vjet. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai flet për avantazhet e PD-së në këtë fushatë elektorale dhe disavantazhet që ofron e majta.
Zoti Imami, Partia Demokratike erdhi në pushtet katër vjet më parë me një premtim të qartë për të krijuar një terren gjallërues për liritë politike dhe ekonomike. Katër vjet më pas, si e shihni ecurinë në këtë drejtim?
Partia Demokratike është një parti, e cila thesarin e saj politik e ka pikërisht në zgjerimin e hapësirës së lirisë në këtë vend, që prej 1990 e deri më sot. S’mund të harrojmë që në fushën e lirive politike është kjo parti, që i dha frymë pluralizmit politik dhe zhdukjes përfundimtare të monizmit. Arritjet më të mëdha të mandatit të parë të PD ishin në fushën e ekonomisë, po të kemi parasysh liberalizimin e çmimeve, idenë e privatizimit. Me ‘shock terapi’ Shqipëria e përballoi atë gjendje të tmerrshme ekonomike ku e kish lënë komunizmi. Kjo bëri të mundur që Shqipëria të rezistojë, dhe në 1997-ën nuk mungoi buka, qumështi dhe mallrat e tjerë të konsumit, sepse tregu kishte filluar të funksiononte. Me këtë frymë erdhëm për t’i shërbyer vendit kur ishte i kapluar nga korrupsioni, monopolet dhe krimi. S’mund të ketë ekonomi të zhvilluar në një vend ku lulëzon krimi. Krimi nuk lejon konkurrencën dhe pa konkurrencë nuk ka treg. Ky aliazh mes krimit dhe monopoleve po i merrte frymën ekonomisë shqiptare dhe në këtë peizazh ishte e pamundur të hynin investimet e huaja. Përkundër këtij peizazhi, ne sot jemi një vend i sigurt për shkak të lirisë që kemi fituar ndaj krimit. Çlirimi nga komunizmi nuk di a është kaq i vështirë, sepse kur çlirohesh nga komunizmi ke një qeveri kundërshtare, e cila në fund do të mbajë përgjegjësi për gjithçka që ndodh, kurse krimi nuk mban përgjegjësi. Ne na çliroi nga krimi kjo qeverisje dhe duhet te kuptojmë se është dashur vullnet i fortë politik. Për sa i përket korrupsionit, në një republikë është e rëndësishme që moralisht qytetarët të jenë të orientuar drejt virtytit dhe jo drejt vesit, drejt shërbimit dhe jo drejt korrupsionit. Ka pasur korrupsion edhe në këta vite, por që kemi kapërcyer 40 vende sipas “Transparency International” ky është një fakt dhe ky fakt nuk mund të ekzistonte pa një punë këmbëngulëse të qeverisë. Para 5 vitesh kush vidhte ishte i mençur dhe i zoti, ndërsa tani ka ndryshuar qëndrimi ndaj korrupsionit; tani askush s’mund të flasë me krenari për korrupsionin e tij. Brenda muajit të parë të kësaj qeverisjeje çmimi i bananeve që ishte monopol ra, është një shembull shumë i vogël, por një shembull që flet, është simbolika e luftës ndaj monopoleve. Gjithashtu, duke i vendosur operatorët ekonomikë në barazi para ligjit, duke u krijuar procedura formale të barabarta siç janë qendra e regjistrimit të bizneseve dhe qendra e licencimit, bëjmë të mundur që operatorët të mos jenë të varur nga subjektiviteti i nëpunësit. Një ide doktrinale e të djathtës është çështja e taksave, natyrisht ndër më të rëndësishmet. Taksa të larta që nuk paguhen krijojnë pabarazi në treg dhe kjo do të thotë që arka e shtetit të mbetet në kuota të ulëta. Ne shkuam drejt taksave të ulëta, që dhanë bum në rritjen e të ardhurave dhe me këto të ardhura po bëhen rrugët, shkollat, janë rritur pagat e pensionet. Gjithashtu, një qasje tjetër liberale është ulja e shpenzimeve të administratës, të cilat në këto katër vite janë ulur 30%. Pra, kur e shohim në tërësi veprën e qeverisjes sonë shohim që liria ekonomike është shtuar, dhe kjo për shkak të lirisë së fituar ndaj krimit, lirisë ndaj korrupsionit, lirisë ndaj monopoleve, lirisë ndaj taksave të larta, lirisë ndaj procedurave të tepërta burokratike.
Duket se shumica e reformave të mëdha politike janë kaluar me një konsensus të plotë ndërmjet forcave më të mëdha politike, por nuk mund të mohojmë se ka pasur edhe marxhinalizime të forcave të vogla politike, që gjithsesi janë përfaqësuese. Si e gjykoni ju këtë situatë?
Maxhoranca ka qenë e orientuar drejt moderacionit. 20 vjet më parë po të thoshe që jam i moderuar konsiderohej jo shumë e mirë, kjo për shkak të çarjes së madhe sociale që kish prodhuar komunizmi. Sot e kuptojmë që kemi më shumë moderacion. PD nuk ka treguar në asnjë moment sensin e një shumice, e cila është shtypëse dhe shtrënguese ndaj opozitës. Reformat më të mëdha, kushtetuese elektorale, të gjyqësorit, të prokurorisë, janë kryer me opozitën. Ne po punojmë së bashku për reformat kryesore. Për këtë arsye mendoj që është ecur në rrugën e zgjerimit të lirisë politike. Për sa i përket partive të tjera është një çështje ngushtësisht e politikës. Partia kryesore në qeverisje së pari ka arritur të gjejë konsensus brenda koalicionit dhe së dyti i është drejtuar partisë kryesore të opozitës për konsensus dhe ky është proces normal demokratik. Tradita jonë na tregon se kemi pasur raste të tjera kur maxhoranca të caktuara kanë marrë partitë e vogla të opozitës për të nxjerrë jashtë partinë e madhe të opozitës. Kjo është antidemokratike.
Zoti Imami, jemi në prag të zgjedhjeve dhe tradita politike na sugjeron, që zgjedhësit i besojnë mandatin qeverisës kryesisht atij ekipi, që ngjall siguri dhe garanci në qeverisje. Cili është avantazhi juaj në këtë drejtim në raport me palën tjetër?
Ne i afrojmë siguri qytetarit shqiptar, që do të ketë stabilitet qeverisës, pasi ne e kemi treguar që megjithëse kemi pasur probleme me partitë e koalicionit kemi bërë përpjekjet maksimale ta ruajmë dhe ta forcojmë stabilitetin qeverisës. Edhe ato që janë diferenca normale në politikë t’i zgjidhim me mjete politike dhe brenda kësaj maxhorance. Le të shohim kampin tjetër, i cili nuk ofron stabilitet qeverisës. E majta është e përçarë. Kryetari i partisë më të madhe të opozitës është i goditur nga ish-kryetari në legjitimitetin e udhëheqësisë, që ai po bën në atë parti. Ish-kryetari që e ka riformatuar partinë nga 1991-2005 nuk gjen më partinë që ka ndërtuar. Po kështu edhe një grup jo i vogël anëtarësh të niveleve të mesme dhe të larta të asaj partie që janë grupuar në një parti tjetër. Si do mund të bëjë një shumicë qeverisëse nesër Rama, Meta, Koçi, Nano? Janë kaq shumë aktorë, saqë do të jetë e pamundur për të pasur stabilitet. Megjithëse, sondazhet nuk e tregojnë kurrë, nëse do kishim një fitore të tyre do të kishim mosqeverisje, koalicione të paqëndrueshme. Së treti, si do mund të drejtojë qeverinë një kryeministër, i cili nuk është as anëtar i parlamentit? Një kryeministër jashtë parlamentit nuk mbart legjitimitetin e duhur për të qeverisur. Në parlament bëhen shumicat për të bërë qeverinë, për të qeverisur vendin. Modeli britanik p.sh., e ka të detyruar që jo vetëm kryeministri, por çdo anëtar i kabinetit të jetë anëtar i parlamentit. Një ekzekutiv i cili i ngjitet nga jashtë parlamentit, sado mirë që të ngjitet është i ngjitur, nuk është brenda në parlament, është i shngjitshëm në çdo moment. Të tre këto elementë e bëjnë krejtësisht të pasigurt dhe jo stabël një maxhorancë të mundshme të majtë. Ne japim siguri që me këtë sjellje politike që kemi pasur deri tani do vazhdojmë në rrugën e moderacionit, në rrugën e një politike të brendshme, e cila shkon drejt zgjidhjeve për vendin dhe drejt një politike të jashtme, e cila ka dhënë rezultate të mahnitshme brenda katër viteve. Brenda katër viteve vendi do ketë një rrjet rrugor tërësisht evropian dhe do të zgjidhet përfundimisht çështja e prodhimit të energjisë në vend dhe do të shkohet edhe drejt eksportit. Do të shkojmë drejt mbylljes së infrastrukturës në shëndetësi dhe ç’është më e rëndësishmja, do të realizojmë furnizim 24 orë me ujë për qytetarët shqiptarë. Për sa i përket një momenti shumë të rëndësishëm, standardit të jetesës, ai do të vijojë të rritet. Vetëm nga viti 2008-‘09 Shqipëria ka lëvizur nga vendi i 75-të, te vendi i 66. E gjithë lufta që po bëhet sot nga ana e opozitës është mbi bazën e perceptimeve politike apo personale të deputetëve të PS-së, sipas të cilëve nuk kemi rritje të standardit të jetesës. Natyrisht që Shqipëria vazhdon të mbetet vend i varfër, por ama nuk është vendi më i varfër në Evropë siç ka qenë jetë e mot. Kjo nuk mund të mos thuhet. Së dyti, përshtypjet që ata përpiqen të krijojnë janë false, sepse sondazhet na tregojnë se: mbi 90% e votuesve të PD mendojnë se standardi i jetesës është po ai ose ka ecur përpara. Është normale për anëtarët dhe simpatizantët e partisë sonë që ta shohin më me optimizëm. Por edhe në kampin tjetër 50% e votuesve të PS-së kanë të njëjtin mendim; që Shqipëria është në rrugën e duhur, që ka një standard jetese të paktën jo më të keq, por madje edhe më të mirë se sa ka pasur para 4 vitesh. E gjithë propaganda socialiste se këtu po varfërohen njerëz, jo vetëm nuk qëndron nga pikëpamja e shifrave por shqiptarët kanë perceptimin se jetojnë më mirë, pra kështu mendojnë rreth 75% e qytetarëve të këtij vendi.
Kryeministri Berisha ka deklaruar disa herë se në këto zgjedhje do të ripërsëritet fitorja e vitit 1992, por kjo shoqërohet me një paradoks; pak nga aktorët e fitores së vitit 1992 janë prezent në listën për deputetë të Partisë Demokratike, ndër të paktët jeni ju. Si shpjegohet ky fakt?
Së pari, ka kaluar shumë kohë. Së dyti, kjo kohë që ka kaluar nuk ka qenë një kohë, e cila ka rrjedhur ëmbël, ishte një kohë e trazirave të mëdha, një kohë e konflikteve të mëdha politike dhe sociale që i patëm nga komunizmi. Kjo ka ndikuar që klasa politike e vendit, sidomos në një parti si e jona që ishte e re para 20 vjetësh, të lëvizte me mundim përpara. Por më e rëndësishme është që PD sot për shkak të kontributit të Berishës nga 1992 dhe sot, edhe për shkak të kontributeve të disa njerëzve që e themeluan si një parti të madhe që ditën e parë, këtu fus dhe veten time, vazhdon të mbetet e vetmja parti në Evropën Lindore antikomuniste që i qëndroi realiteteve dhe erdhi dhe sot e bashkuar. Kjo është vlera jonë më e madhe.
Ju jeni prej katër vitesh një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Berisha, në postin e shefit të kabinetit. Si e shikoni vendosjen tuaj në pozicionin e 14-të në listën e Tiranës, pas 2 zv/ministrave dhe një këshilltari?
Për mua lista nga i pari deri tek i 16-ti është e barabartë për të gjithë. Ne luftojmë për 17-të, ndoshta edhe më shumë. Jemi të 32 kandidatët e angazhuar për të bërë një fushatë fitimtare në qarkun e Tiranës, të tjerat janë krejtësisht të parëndësishme.
Lista megjithëse është cilësore nga pikëpamja e profesioneve dhe figurave të rëndësishme teknokrate të administratës Berisha apo edhe të shoqërisë civile, vihet re ngushtimi i bazës së përfaqësimit politike, duke e krahasuar me 2005 ku bënin pjesë dhe ish themelues si Zogaj, e Mustafaj. Po ashtu janë eliminuar edhe ish përkrahësit e Presidentit Topi. Mendoni se do të ketë kosto mungesa e tyre në listë, ndërkohë që gjejmë edhe kandidatë, që vijnë nga e majta dhe që kanë vende të sigurt si Sterkaj e Lefter Maliqi?
Besoj që PD i fiton këto zgjedhje. Së dyti, sikurse tha edhe kryetari i partisë, asnjë listë nuk është pa gabime. Së treti, lista jonë është shumë më e mirë, është listë fitimtare. Së katërti le të mendojmë të nesërmen e zgjedhjeve që të jemi të gjithë bashkë, me këta deputetë që jemi sot, me ata që kishim dje, me ata deputetë që kishim edhe pardje. Vetëm një parti e madhe e këtillë mund të realizojë detyra të mëdha dhe të mund të mbetet një nga shpresat e shqiptarëve për progresin e tyre drejt Evropës.