E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, vështirësohet gara për të vegjlit

26/03/2009  KQZ ngriti grupe pune për verifikimin e firmave mbështetëse të listave shumemërore

Për depozitimin e nënshkrimin në KQZ për çdo rast autorizohen nëpunës të administratës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ashpërsuar rregullat e garimit të partive politike, veçanërisht të atyre subjekteve që nuk kanë përfaqësues në Parlament. Gjatë shqyrtimit të udhëzimit mbi dokumentacionin e kandidimit ky komision autorizoi për çdo rast nëpunës të administratës së tij, jo zyrat rajonale zgjedhore, që të depozitojnë nënshkrimet në KQZ. Ndërkohë përmes një grupit pune prej 3 vetash, mes të cilëve 2 janë punonjës të KQZ-së, do të bëhet edhe verifikimi i dokumentacionit, përfshirë edhe firmat mbështetëse. Verifikimi do të realizohet nga një përfaqësues i Drejtorisë Juridike, një i Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore dhe nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit. Caktimi i të ngarkuarit nga KQZ-ja për të pranuar firmat mbështetëse u bë pas dyshimeve që anëtarët e komisionit hodhën mbi besueshmërinë e punonjësve të zyrave rajonale. “Personat e emëruar si përfaqësues të zyrave rajonale nuk e kanë besueshmërinë e duhur për veprime kaq të rëndësishme për sigurinë. Përderisa edhe ligji përmend KQZ-në, mendoj se duhet lënë këtu. Propozoj ndryshimin e kësaj. Nëse KQZ-ja bën verifikimin i pranon. Nuk duhet të jetë produkt i zyrave rajonale”, - tha anëtari i KQZ-së, Artan Laze. Lidhur me firmat mbështetëse pas debateve, nëse ato duhet të jenë në rang qarku apo republike, komisioni vendos të vendosë që numri 10 000 i firmave që përcakto edhe Kodi Zgjedhor të jetë numri minimal. “Do ta pranoj faktin që 10 mijë firma në shkallë republike, por për të vetmen arsye për të pasur një sens pozitiv ndaj partive të vogla që nuk kanë mandate do ta kenë të pamundur mbledhjen e firmave. Por logjika bën fjalë brenda qarkut”, - tha anëtari Klement Zguri. Ndërkohë për përfaqësuesin e PD-së Njazi Kosovrasi procesi nuk do të shkojë deri te verifikimit të 10 mijë zgjedhësve. Sipas tij, partitë do të lidhin koalicione me partitë që kanë mandate dhe nuk do të ketë asnjë rast të tillë. “Vendoseni ju nëse duhen 10 mijë për çdo qark apo duhen 10 mijë në shkallë vendi. Për mua është e qartë. Procesi i verifikimeve nuk do shkojë deri aty. Për mua është e zgjidhur 10 mijë në gjithë Shqipërinë dhe ka mbaruar”, - tha ai. Neni 68 i Kodit Zgjedhor përcakton se lista e kandidatëve për Kuvend të paraqitur nga partitë politike të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend duhet të mbështetet nga jo më pak se 10 000 zgjedhës. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 15 000 zgjedhësve. Bëjnë përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.

Ad hoc inspektim për kartat

PD-PS vlerësime të kundërta për procesin

Anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës në komisionin ad hoc kanë ndarë mendime të ndryshme lidhur me ecurinë e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, pas rreth tri orëve inspektim në Drejtorinë e Gjendjes Civile. Partia Socialiste përmes anëtarit të saj në komision Blendi Klosi e cilësoi procesin të dështuar dhe jashtë afateve kohore. “U vërejt me shumë shqetësim ecuria shumë e ngadaltë në të gjithë vendin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me këtë dokument shumë të rëndësishëm. Po ashtu mosrespektimi i procesit, duke filluar nga mosrespektimi i kontratës koncesionare ka sjellë mungesën e shtrirjes së procesit në gjithë territorin dhe si pasojë ka një numër shumë të ulët të pajisjes me karta të shtetasve. Janë më pak se 100 000 votues pa pasaportë, të cilët kanë aplikuar, ndërkohë që numri total është 800.000. Pra, 1/8 e tyre kanë aplikuar, ndërkohë që mbetet edhe një muaj e gjysmë nga data e fundit kur mund të aplikohet”, - theksoi Klosi në fjalën e tij. Po ashtu ai ritheksoi propozimin e socialistëve se gjendja ekonomike është një nga arsyet e mospajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti. “Ndaj kërkojmë nga qeveria që të krijojë mundësi për dhënien falas të këtyre kartave të identitetit”, - përfundoi Klosi. Por anëtari tjetër i komisionit, deputeti reformator Tritan Shehu, vlerëson punën e deritanishme të qeverisë. “Qeveria është shumë e qetë në lidhje me procesin e pajisjes me karta, proces i cili do të mbyllet brenda të gjitha afateve. Opozita bëri disa vërejtje dhe paraqiti disa shifra që bazoheshin në të dhëna empirike dhe jo mbi të dhëna shkencore”, - tha Shehu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›