E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Politika e dyerve të hapura është e suksesshme

26/03/2009  Takimi i ministrave të Jashtëm të “Adriatik-5” dhe vendeve të Baltikut

SHBA-të vlerësojnë reformat e ndërmarra nga 3 vendet e Kartës në arritjen e standardeve

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, me cilësinë e kryetarit të radhës së Kartës së Adriatikut, ka deklaruar në takimin e Adriatik-Baltik-Atlantik se partneriteti ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara është një histori suksesi, që ka kontribuar në mënyrë vendimtare në përshpejtimin e ritmit të reformave dhe në përmirësimin e klimës së mirëbesimit. Rezultat i drejtpërdrejtë i këtij suksesi është edhe anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO në samitin e Strasburg-Kehlit. Zgjerimi i Kartës së Adriatikut me Bosnjë-Hercegovinën dhe me Malin e Zi do ta forcojë edhe më tej bashkëpunimin rajonal”, - ka theksuar ministri Basha. Sipas tij, tashmë ka prova të qarta se politika e dyerve të hapura është e suksesshme. “Një sukses që ka zgjeruar zonën e sigurisë, por edhe të demokracisë, lirisë respektit për të drejtat e njeriut në të gjithë Ballkanin Juglindor”, - deklaroi Basha. Gjatë takimit zhvilluar në kryeqytetin e Letonisë, Riga, kryediplomati shqiptar është ndalur në mënyrë të veçantë në situatën e re krijuar në rajonin e Ballkanit me krijimin e shtetit të ri të Kosovës. Basha u shpreh se Kosova përbën sot një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe se prania e KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe vullneti politik i udhëheqjes kosovare përbëjnë garanci për sigurinë, konsolidimin dhe zhvillimin e Kosovës. Ndërkohë, duke folur për një nga sfidat më të mprehta me të cilën po përballet Aleanca, angazhimin e saj në Afganistan, Basha konfirmoi edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për rritjen e kontributit të vendit tonë jo vetëm në drejtim të sigurisë, por edhe në mbështetje të komponentit civil të angazhimit ndërkombëtar në Afganistan. Nga ana e tij zëvendësasistent i sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Stjuart Xhons, i vlerësoi shumë të suksesshme reformat e ndërmarra nga 3 vendet e kartës në arritjen e standardeve të kërkuara. “Arritjet e Shqipërisë dhe Kroacisë janë të jashtëzakonshme dhe anëtarësimi i këtyre dy vendeve në NATO është dëshmi e këtyre arritjeve”, - u shpreh ai.

Takimi i Rigës

Në kryeqytetin letonez, Rigë, u zhvillua takimi Adriatik-Balltik-Atlantik, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të Kartës Adriatik-5 dhe të vendeve të Balltikut. Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve dhe përfaqësuesi i Sekretares së Shtetit të SHBA-ve diskutuan rreth forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në funksion të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit euroatlantik.

Kosova

Gjatë takimit të Rigës ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka deklaruar se Kosova përbën sot një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe se prania e KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe vullneti politik i udhëheqjes kosovare përbëjnë garanci për sigurinë, konsolidimin dhe zhvillimin e Kosovës. Pjesëmarrësit në takim vlerësuan rolin stabilizues të KFOR-it në Kosovë dhe konfirmuan se zhvillimet në Kosovë janë faktor kyç në sigurinë e rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›