E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i Lesit në dorë të Seancës

26/10/2004  Komisioni i Imuniteteve dhe Mandateve ka vendosur të hedhë hapin e parë për të lejuar gjykatën të hetojë deputetin Nikollë Lesin. Me katër vota pro dhe tre kundër, dje, është miratuar kërkesa e Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të Lesit, si pasoojë e një ankese të bashkëshortes së Kryeministrit. Deputetët e opozitës thanë dje se socialistët kanë vepruar në shkelje të rregullores së Kuvendit, pasi është votuar pa i lënë mundësinë deputetëve që të marrin në shqyrtim faktet. Por, kreu i komisionit, Lekë Çukaj, tha se Kuvendi nuk është gjykatë, por shqyrton kërkesën për heqjen e imunitetit dhe përgjigjen e deputetit, për të cilin është kërkuar heqja e imunitetit dhe në fund vendos se si do të veprojë. Megjithatë, dje komisioni ka kërkuar që seanca parlamentare të kërkojë heqjen e imunitetit të Lesit.

Mbledhja

Në takimin e zhvilluar dje, me anë të një letre, Lesi i ka kthyer përgjigje Xhoana Nanos për akuzën e bërë ndaj tij për shpifje. Lesi sqaron se shkrimet e botuara në gazetën "Koha Jonë" kane qenë të bazuara në disa burime, siç është emisioni "Shqip" i Rudina Xhungës, kërkesa e Kryeministrit Nano e tetorit të vitit 2002, drejtuar SHISH për dosjen e Xhoanës dhe njoftimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për kapjen e drogës në linjën Athinë-Tiranë të kompanisë "Xhoi travel". Në këtë mënyrë, ai tha se për çështjen është apo jo Xhoana bashkëpunëtore e shërbimit grek, Lesi është shprehur se ka qenë vetë Nano që në kërkesën e tij ka hedhur i pari dyshimet. Kurse për qarkullimin e dorgës në linjën e autobusëve, pronë e Xhoana Nanos, është mbështetur në një njoftim të policisë që bënte të ditur kapjen e një sasie droge në këta autobusë. Pas kësaj, deputeti i PD-së, Olldashi, ka propozuar që të merren në shqyrtim me parë dokumentet, të cilave u është referuar Lesi. Por, socialistët thanë se për këtë do të merret vetëm Gjykata.

Vendimi

Pas tre mbledhjeve me radhë, socialistët kanë mundur të arrijnë shumicën në Komision. Kjo ka sjellë dhe një nxitim për të miratuar kërkesën e Gjykatës së Lartë. Në votimin e fshehtë, ka rezultuar që me katër vota pro dhe tre kundër është marrë në konsideratë kërkesa e gjykatës për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi.

"Pas disa mbledhjesh radhazi, ku socialistët nuk arrinin të disiplinonin grupin e tyre, sot në mbledhje mori pjesë dhe zoti Duraku, i cili votoi për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi. Po të kërkosh në dhomat e komisioneve të tjera do të shihni një marrëveshje të tipit BOOT për dhënien me 30 vjet koncension me të drejtë ripërtëritje për firmën e zotit Duraku dhe të dy firmave të tjera", tha deputeti Olldashi, në lidhje me këtë vendim. Megjithatë, do të jetë seanca plenare, që do të vendosë përfundimisht mbi heqjen ose jo të imunitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›