E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bipartizani sherr për anëtarët e komisioneve të votimit

26/10/2004  Ndarja e partive politike, që do të kenë të drejtën e një anëtari në komisionet e votimit, ka sjellë sherre dhe bllokim të Komisionit Bipartizan. Shkak për këtë ka qenë fakti se në vitin 2001, koalicioni "Bashkimi për Fitore" ka dalë si një forcë e vetme, duke e bërë të pamundur renditjen e partive politike. Sipas ekspertëve, në komisionet e votimit tre partitë e para në mazhorancë dhe tre partitë e para në opozitë do të kenë të drejtën e një anëtari. Në këtë rast, socialistët janë shprehur se dhe një parti, e cila ka qenë në mazhorancë, por që ka dalë në opozitë, duhet të ketë të drejtën e një anëtari, në rast se renditet në tre të parat. Por, kjo është kundërshtur nga Jemin Gjana, i cili tha se kjo është e pamundur, pasi renditja duhet të jetë për partitë që kanë dalë në opozitë pas zgjedhjeve.

Debati

Sipas kreut të PLL-së, Ekerem Spahia, partisë që ai drejton i takon një anëtar në komision. Kjo për vetë faktin se në marrëveshjen e BF-së, në pikën e dytë, është përcaktuar që PD kishte 72.99 për qind të votave, PLL 8.01 për qind, PR 8 për qind, PBK 8 për qind dhe PBL 3 për qind. Ndaj, pas PD-së dhe PDR-së, forca e tretë nga opozita renditet PLL-ja. Kjo është hedhur poshtë nga republikani Garuli, i cili tha se OSBE në atë kohë e ka cilësuar të papranueshme marrëveshjen e vitit 2001, pasi asnjë forcë politike nuk e ka të drejtën që të përcaktojë renditjen që do të kenë partitë pas votimeve. Këtë të drejtë e kanë vetëm votuesit. Ndaj, duke mbështetur deklaratën e ekspertëve, ai tha se kodi duhet të bazohet në zgjedhjet më të fundit. Këtë e kanë mbështetur dhe deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kanë vlerësuar se marrëveshja e "Bashkimit për Fitore" është e papranueshme. Socialistët janë shprehur krejtësisht kundër idesë për të bazuar renditjen e partive te zgjedhjet e pushtetit vendor. Sherifi tha se standardet përcaktojnë se për zgjedhjet parlamentare duhet të bazohemi te rezultatet për zegjedhjet parlamentare të fundit, dhe po kështu për ato të pushtetit vendor. Ndaj dhe nuk mund të ketë mbështetje të njërës praktikë në rezultatet e një praktike tjetër.

Ekspertët

Socialistët kanë kritikuar dje dhe grupin e ekspertëve, të cilët kanë dhënë një mendim në rastin kur ka një koalicioni, si ai i tipit të "Bashkimit për Fitore". "Ekspertët nuk kishin pse të bënin një përcaktim të tillë, pasi nuk ka pasur një rekomandim për raste të tilla kur kemi një marrëveshje, në bazë të së cilës nuk del rezultati. Këtu po personalizohet debati", tha Sherifi. Ai tha se diskutimi është në parim dhe jo nominal. Si rrjedhojë e debateve të ashpra është shtyrë për në një mbledhje tjetër çështja për përbërjen e komisioneve të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›