E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vujanoviç: Po hartojmë ligj për të drejtat e shqiptarëve

26/10/2004  Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Shqipëri, ka vizituar qytetin e Durrësit. I shoqëruar nga personalitete të artit dhe të kulturës shqiptare, Vujanoviç ka qëndruar përreth një orë në mjediset e amfiteatrit dhe më pas ka vizituar edhe Muzeun Arkeologjik. Kreu i shtetit fqinj ka treguar interesim të veçantë për veprat muzeale dhe kulturën iliro-shqiptare, ndërkohë që shpjegimet për lashtësinë e kombit shqiptar si dhe të vlerave autentike që disponon muzeu janë shpjeguar nga drejtori i Muzeut, Afrim Hoti. Njëkohësisht, Presidenti Vujanoviç është shoqëruar gjatë gjithë kohës edhe nga mediat e Malit të Zi, të cilët kanë mundur të vjelin edhe intervista nga historianë, arkeologë dhe restauratorë. Në Durrës, Vujanoviç ka ritheksuar për mediat e interesuara, marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke u ndaluar edhe në trajtimin e shqiptarëve etnik që jetojnë në Malin e Zi. Ai tha se “në Malin e Zi po hartohet një ligj që do të mbrojë dhe respektojë qytetarët etnik të kombësive të tjera, mes tyre edhe të shqiptarëve etnik”.

Para se të largohej për në Malin e Zi, Presidenti foli gjithashtu edhe për interesimin e të dy vendeve në rritjen e mundësive për bashkëpunim ekonomik, duke theksuar se “në të ardhmen bashkëpunimi ekonomik do të jetë shumë më i mirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›