E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush pi kafe



Smajl SMAKA

Të shumtët e pinë kafen me miqtë e paktë,
në vendpjekjen, në orën fikse, me orarin e saktë.

Disa parapelqejnë ta pinë me vetminë e pambarimtë
të vetëharruar, fare sade, me pikëllim të pelimtë.

Ndonjëri kafen e pi më boshësinë, heshtjen e paskaj,
i vetëmjaftueshëm, fillikat, pa askënd tepër. Pastaj

disa e pinë kafen me gëzim, për ditë të shënuara, takime
disa vetëm me detyrim - për ndarje, shkuarje, ngushëllime.

Ai e pi kafen detyrimisht me cigaren e pashuar
Ajo, në të njëtin lokal, me muzikën e paharruar.

E unë, unë e pi kafen vetëm me ty, me ty përherë
Jap shumë dashuri, marr vetëm pak sheqer…

Pamje të përziera

Vagëllimthi e përnjëherë shoh pamje krejtësisht të ngatërruara
më përzihen kujtimet me ëndrra, dëshira e gjurmë fëmijërie,
ç’janë këto imazhe nuk di, të ndodhura apo të sajuara
kanë ngjarë ndonjëherë, a janë ëndrra që më ndjekin si hije?

Fytyra njerëzish, copa stinësh, ngjarje, qytete, rrugë, shtegtime
mbi të cilat kaherë ka rënë gjelbër shtresë myshku, plisi i harresës;
Janë të ndodhura,kujtime për njerëzit që i pashë, i takova, janë vegime
gati të shlyera apo krejt të strukura në ndonjë cep të kujtesës?

Dhe më bëhet si përtej perdesh dikund në horizont sikur i shoh
Si dritëhije, pamje të së shkuarës, dëshira - ëndrra, gjendje deliri
Ato më shfaqen përzieshëm, asgjë nuk dalloj, askë nuk njoh
A kanë ndodhur fare, janë fragmente dhe pamje aveniri?!

Por gjithnjë mbi këto pamje, mbi këto kujtime - ëndrra
Prajshëm, padiktueshëm si shi Tirane, cep më cep bie melankolia.

Tri pikat në letër...

Fshehtësi janë, pyetje a përgjigje, diçka në nismë e lënë
Dyshim, shpresë e (pa)përenduar, a dëshirë e pathënë.

Mall, afsh, emocion, pritje thirrje, a ëndrra të parealizuara
Që vetëm ti e unë mund t’i kemi projektuar e dëshi(f)ruar.

Janë ndonjëherë vrushkuj dëshirash boshe ,thjesht një ëndërrim
Apo duar të shtrira drejt meje, pritje e ankthshme, ftesë për takim

Kujtime të largëta, mendime të ndrydhura, ëndrra që vetëm ti i di
Gëzim, ndonjëherë hidhërim, janë tri pika lotë, janë tri pika shi...

Pshëretimë janë, tinguj zemre që do të thuhen një stinë, një mot,
Të strukura presin në çerdhe, nën tri pika, ndodhta s’do thuhen dot.
Janë shpirti, stili yt janë, vetë Ti, krejt Jotja veçantia
Afria e zemërimi Yt, tekat, hidhërimi - janë vetë dashuria.

Ndonjëherë janë sikur thua: Shko!Lamtumirë a tungjatjeta
Herë janë mirëseardhje, dashuria jote, ndoshta vetë jeta...

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›