E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi dukuritë dhe ekzistencat



Danjill HARMS
Nr. 1

Piktori Mikel Anxhelo ulet në një grumbull qerpiçësh dhe, duke zënë kokën me duar, nis të mendojë. Dhe ja tek përskaj tij kalon një kaposh, që ia ka qepur ata sytë e rrumbullt e të artë piktorit Mikel Anxhelo. E kundron dhe nuk i pulit. Atëherë piktori Mikel Anxhelo ngre kokën e dallon kaposhin. Kokoshi nuk i shqit sytë, nuk i pulit dhe nuk e tund bishtin. Piktori Mikel Anxhelo i pjerr sytë dhe vë re se në sy diç e ngacmon. Piktori Mikel Anxhelo fërkon sytë. Ndërsa kokoshi nuk qëndron më para tij, nuk qëndron por ikën, ikën, ikën prapa sarajeve, prapa sarajeve në pulari, në pulari te pulat e tij.
Dhe piktori Mikel Anxhelo ngrihet nga pirgu i qerpiçëve, shkund nga pantallonat pluhurin e kuq të tullave, e hedh mënjanë rrypin dhe shkon te gruaja e tij. Po gruaja e piktorit Mikel Anxhelo është e gjatë-e-gjatë, me gjatësinë e dy dhomave bashkë.
Rrugës piktori Mikel Anxhelo takon Komarovin, e zë atë nga duart dhe i bërtet: “Shih!” Komarovi sheh e dallon një balonë.
“Çfarë është kjo?”, pëshpërin Komarovi.
Ndërsa nga qielli oshëtin: “Është balonë.”
“Çfarë balone na qenka?”, pëshpërin Komarovi.
Nga qielli lëshohet oshëtima: “Balonë cipëlëmuar!”
Komarovi e piktori Mikel Anxhelo ulen në bar dhe në bar qëndrojnë, mu si kërpudha. Ata mbajnë njëri-tjetrin përdore e kundrojnë qiellin. Ndërkaq, në qiell ravijëzohet një lugë gjigande. Çfarë të jetë kjo? Askush nuk e di. Njerëzit turravrap nxitojnë të mbyllen nëpër shtëpitë e tyre. I mbyllin edhe dyert, edhe dritaret. Por a bën derman kjo? ǒderman zeza! S’të ndihmon dot.
Mbaj mend se si në vitin 1884 u duk në qiell një kometë e zakonshme me madhësinë e një anijeje. Ishte shumë e tmerrshme. Ndërsa tani luga! E ç’është kometa para këtij llahtari.
Të mbyllen dritare e dyer! Po a do të na ndihmojë kjo, vallë? Kundër punëve qiellore s’ke si mbrohesh me një copë dërrasë.
Ndërsa në pallatin tonë banon Nikollaj Ivanoviç Stupin. Ai ka një teori, sipas së cilës gjithçka është tym. Kurse sipas meje, jo gjithçka është tym. Ndofta, s’është çudi që tymi të mos ekzistojë fare. Ndofta nuk ekziston fare asgjë. Ka vetëm se një ndarje. Po ndofta, madje, asfarë ndarjeje nuk ekziston. E vështirë ta thuash.
Thonë se një piktor i njohur ka parë njëherë një kaposh. E këqyri dhe e këqyri, e mbërriti në bindjen se kaposhi nuk ekziston. Këtë piktori ia tha një mikut të vet, ndërsa ky miku – qesh të qeshim. Si qenka kjo kështu, nuk ekziston, kur atë e ke para këmbëve, dhe ti, thotë, the se e dalloje qartë.
Ndërsa piktori i madh kërrusi kokën atëherë dhe, siç qe, ashtu u ul mbi një grumbull qerpiçësh.
Kaq
Nr. 2

Ja ku është shishja me vodkë, e ashtuquajtur spirtuozë. Ndërsa afër saj ju do të shihni Nikollaj Ivanoviç Serpuhovin. Ja se si nga shishja ngrihen avujt spirtuozë. Shikojeni se si frymëmerr me hundë Nikollaj Ivanoviç Serpuhovi. Shiheni se si lëpihet dhe si i përpëlit qerpikët. Duket ashiqare se atij i vjen shumë mirë, dhe kryesisht sepse është spirtuoz.
Porse mpriheni vëmendjen në faktin që pas shpinës së Nikollaj Ivanoviçit s’ka asgjë. Jo se pas shpinës së tij nuk qëndronte dollapi, apo komodina, apo diç e këtillë – por ju them nuk ka asgjë prej gjëje, madje as ajër s’ka. Në daçi besoni, në daçi mos besoni, por prapa shpinës së Nikollaj Ivanoviçit nuk ka as hapësirë pa ajër apo, siç thonë, efir të përbotshëm. Sinqerisht them, nuk ka asgjë. Këtë, sigurisht, as truri s’ta rrok dot. Por varjani teneqen kësaj, ne na intereson veçse spirtuoza dhe Nikollaj Ivanoviç Serpuhovi.
Ja, Nikollaj Ivanoviçi e merr në dorë shishen me spirtuozë dhe e shpie në hundë. Nikollaj Ivanoviçi e nuhat e lëviz gojën, mu si një lepur. Tani ka ardhur koha të themi, se jo vetëm prapa shpinës së Nikollaj Ivanoviçit, por dhe para tij – si me thënë para parzmit – dhe në përgjithësi rreth e rrotull tij nuk ka asgjë. Një mungesë e plotë e çdo lloj ekzistence apo, siç hidhnin rromuze njëherë e një kohë, paprani e çfarëdo pranie.
Megjithatë le të na interesojë vetëmse spirtuoza e Nikollaj Ivanoviçi. Merreni me mend, Nikollaj Ivanoviçi po këqyr në brendësi të shishes me spirtuozë, mandej e shpie atë në buzë, e ngre shishen bythpërpjetë dhe e pi, merreni me mend, gjithë spirtuozën. Hajde zotësi! Nikollaj Ivanoviçi e piu gjithë spirtuozën dhe rrahu qerpikët. Ja çfarë zotësie! Po si more iu dha!
E na tani duhet të themi ja se çfarë: drejt t’i biem, jo vetëm prapa shpinës së Nikollaj Ivanoviçit apo përpara e përreth tij, por edhe brenda Nikollaj Ivanoviçit asgjë nuk paskërka, asgjë nuk ekzistueka. Kjo, sigurisht, mund të jetë njashtu sikundër sapo thamë, ndërsa vetë Nikollaj Ivanoviçi, pavarësisht kësaj, të ekzistojë mahnitshëm. Kjo, sigurisht, është e vërtetë. Por, hapur ta themi, gjithë sekreti qëndron në një pikë shumë të hollë: që Nikollaj Ivanoviçi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Këtu është dhe lezeti i kësaj pune.
Ju do të pyesni: po shishja me spirtuozën? E sidomos ku shkoi spirtuoza, nëse atë e piu i paekzistuari Nikollaj Ivanoviç? Se shishja, për shembull, mbeti. Ku është pra spirtuoza? Ajo sapo qe e befas nuk është. Se Nikollaj Ivanoviçi nuk ekziston, na thoni ju. Si qenka kjo kështu?
Në këtë pikë edhe ne humbasim në hamendësime. E megjithatë, ç’po ia fusim kot dhe ne?! Se a thamë se, si përbrenda, si përjashta Nikollaj Ivanoviçit asgjë nuk ekziston? Dhe, nëse as brenda, as jashtë nuk ekziston asgjë, atëherë do të thotë se edhe shishja nuk ka ekzistuar. Nuk është kështu?
Por, nga ana tjetër, mpriheni vëmendjen te ky arsyetim: nëse themi që nuk ekziston asgjë, as përbrenda dhe as përjashta, atëherë kjo na çon pashmangshëm në pyetjen: përbrenda dhe përjashta çfarë gjëje? Se diçka, ashiqare, mbetet të ekzistojë? A ndoshta dhe nuk ekziston. Atëherë përse, pra, po flasim “përbrenda” dhe “përjashta”?
Jo, ky është ashiqare qorrsokak. Dhe ne nuk dimë çfarë të themi.
Tumirëmbeçi!

Përktheu Agron Tufa

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›