E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH: Kontroll shërbimit shëndetësor në zonat turistike



Ministria e Shëndetësisë ka kryer inspektimet për kushtet Higjiene-Sanitare në zonat turistike të vendit. Në bazë të inspektimeve të kryera rezultoi se deri tani, në të gjitha hotelet dhe restorantet, gjithçka ndodhet brenda standardeve të përcaktuara nga kjo ministri. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë shoqëruar edhe nga përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetit Publik, përfaqësues të Institutit të Higjienës dhe mjekëve të qendrave shëndetësore të rretheve përkatëse kanë realizuar sot kontrollin në Vlorë, Dhërmi, Shëngjin, Divjakë, Velipojë dhe Pogradec. Sipas raportimit të secilit prej grupeve ka rezultuar se në çdo zonë turistike të sipërpërmendur janë ngritur qendra shëndetësore 24 orësh, janë vënë në dispozicion ambulanca, si dhe janë pajisur me medikamente shtesë. Aktualisht në Divjakë është vënë në dispozicion një qendër shëndetësore me 4 dhoma, 1 mjek, 2 infermiere dhe 1 ambulancë, të cilat do të jenë në gatishmëri gjatë 24 orëve. E njëjta gjë është bërë edhe në Vlorë, Velipojë, Shëngjin, Pogradec ku numri i qendrave Shëndetësore të vëna në dispozicion, numri i ambulancave dhe sasia e medikamenteve është më i lartë për arsye edhe të fluksit turistik në këto zona. Me hapjen e sezonit turistik, Ministria e Shëndetësisë vendosi një sërë masash, të cilat duhet të zbatohen nga të gjithë pronarët e hoteleve e restoranteve në zonat bregdetare. Në rast të verifikimit të shkeljeve, për çdo subjekt do të merren masa, me gjobë apo edhe deri në mbyllje të subjektit.

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›