Pesë nxënës shqiptarë fitojnë medalje në Ballkaniadën e Matematikës
Nxënësit shqiptarë kanë fituar 1 medalje Argjendi dhe 4 Bronxi në Ballkaniadën e Matematikës. Në qytetin e Vlorës u zhvillua për herë të parë në vendin tonë Ballkaniada e 12-të e Matematikës për nxënësit deri në moshën 15 vjeç. Pjesëmarrës në këtë eveniment, të parin në qytetin bregdetar, ishin 71 nxënës nga 12 shtete të Ballkanit, Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Qipro, Rumania, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dhe Moldavia, si dhe një grup nga Kazakistani, i ftuar të jetë pjesëmarrës në këtë olimpiadë. Këtë vit, nxënësit tanë patën rezultatet më të mira në këto 12 vjet dhe rrëmbyen 1 medalje argjendi dhe 4 medalje bronxi, duke lënë prapa nxënësit e Maqedonisë, Qipros, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Ndërsa si grup ekipi ynë i matematikës zuri vendin e gjashtë.
Fituesit e medaljeve
1. Tedi Aliaj Medalje Argjendi Fier
2. Sindi Shkodrani Medalje Bronxi Vlorë
3. Disel Spahia Medalje Bronxi Shkodër
4. Arbeg Gani Medalje Bronxi Elbasan
5. Arnold Spahiu Medalje Bronxi Tiranë
MASH-i: “Dëftesat në afatin e zakonshëm”
Shpërndarja e dëftesave për nxënësit e arsimit parauniversitar, me të gjithë elementët e sigurisë dhe që njihen nga shteti, do të kryhet siç bëhet çdo vit, në fillim të javës që vjen. Lajmi për shpërndarjen e tyre është bërë i ditur dje nga Ministria e Arsimit, e cila ka kujtuar që semestri i dytë i vitit shkollor ka përfunduar më 13 qershor 2008, ndërkohë që ka procedura zyrtare për mbylljen e vitit të shkollor, në përfundimin e të cilave qëndron edhe dëftesa. Sipas MASH-it, dëftesat jepen si gjithmonë në mënyrë të rregullt dhe pretendimi se po jepen fotokopje është tentativa e PS për të përhapur panik, ose për të bërë zhurmë edhe pse s’ka realisht ndonjë gjë për të thënë.
30 Qershor 2008