Lushnjë, humb jetën 65-vjeçarja, rëndë bashkëshorti si pasojë e helmimit
Një grua 65-vjeçare humbi jetën pasi u helmua nga ushqimi, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Çermë të Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare nga policia, viktima është e moshuara Deje Hida, ndërsa i shoqi i saj, Ramazan Hida, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacion. Dy bashkëshortët janë gjetur nga familjarët e tyre në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë transportuar menjëherë në spitalin e qytetit të Lushnjës. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, 65-vjeçarja nuk arriti që të mbijetonte. Ndërkohë bashkëshorti i saj është ende në gjendje të rëndë, por e ka kaluar rrezikun për jetën. Është ngritur një grup pune për të hetuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që dyshohet se helmimi mund të ketë ndodhur si pasojë e konsumimit të një pijeje freskuese. Por do të jetë përfundimi i analizave që do të zbardhë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje.