Trajnime dhe eksperiencë Gjermane për bluzat e bardha
Trajnime të mjekëve tanë në Gjermani dhe binjakëzim të qendrave spitalore të dy vendeve. Këto ishin pikat kyçe, të diskutimeve në takimin e djeshëm mes Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili dhe ekipit të nivelit të lartë të Ministrisë Federale të Shëndetësisë Gjermane i cili është duke kryer një vizitë pune tre ditore në Shqipëri në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe. Kolegët gjermanë kanë shprehur dëshirën e mirë për t’i dhënë jetë sa më shpejt një sërë projekteve, ndërsa njëkohësisht vlerësuan hapat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Shëndetësisë shqiptare, sidomos ato në prezantimin dhe futjen e sistemit të referimit dhe ranë dakord me palën shqiptare për shkallët e tjera që do të ndërmerren në këtë drejtim. Ministri Vasili në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor e ka cilësuar këtë takim si mjaft të rëndësishëm ndërsa e vlerësoi si të shkëlqyer traditën e komunikimit mes dy vendeve tona. Vasili theksoi se gjithmonë Shqipëria është e hapur për të mësuar nga eksperienca gjermane. Sot ekipi do të ketë takime pune në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku do të diskutohet mbi binjakëzimin e saj Gross Hadern Klinik (spitalin Universitar më të madh të Mynihut). Ky përbën një hap të rëndësishëm zhvillimi në marrëdhëniet direkte dypalëshe të Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare me atë gjermane dhe një ndihmesë në përpjekjet e shëndetësisë shqiptare për të arritur sa më shpejt standardet Evropiane dhe në përmirësimin e mëtejshëm te kujdesit ndaj pacienteve.