E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtesa pa leje në bllok,kërcënohet jeta e banorëve

 

Publikohet skandali i radhës me shtesat e pallateve pa leje në zonën e ish-bllokut. Nuk bëhet fjalë vetëm për shkelje të ligjit, por mbi të gjitha për një kërcënim aspak të vogël për banorët e tjerë që jetojnë aty. Përkundër kësaj situate, indiferentizëm total nga Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës me në krye Afrim Qendron. Sipas banorëve, ky inspektorat nuk ka bërë asnjë përçapje për të ndaluar punimet, ndonëse është vënë në dijeni që nga fillimi i tyre. Shtesa tashmë ka përfunduar, madje janë lyer bukur edhe fasadat. Denoncimi vjen nga banorët e njërit prej pallateve në rrugën “Vaso Pasha” nr. 8. Siç duket qartë edhe në foto, mbi ndërtesën aktuale është bërë një tjetër kat. “Jemi ankuar që në fillim në bashki dhe madje kanë ardhur njëherë inspektorët dhe i kanë pezulluar punimet. Por e gjithë kjo ishte sa për të kaluar radhën. Ato rinisën sërish dhe siç e shihni kanë përfunduar tani. Përveç shtesës janë bërë edhe ndërhyrje në katin e parë në muret mbajtëse, duke i dëmtuar ato, çka na kërcënon seriozisht jetesën këtu, pasi mund të ketë edhe shembje”, shprehen banorët. Ata theksojnë se personi që ka bërë ndërtimin nuk i ka pyetur aspak, edhe pse bëhet fjalë për hapësira të përbashkëta. “Siç ndodh në këto raste, punët janë zgjidhur me kompromise me ata të inspektoratit ndërtimor, të gjitha ankesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër”, thonë banorët. Gazeta që prej disa ditësh ka nisur një cikël shkrimesh, bazuar mbi denoncimet e qytetarëve për ndërtime e shtesa pa leje. Edhe atëherë kur ato janë bërë duke mos zbatuar asnjë kusht të sigurisë teknike, duke ndërhyre në muret mbajtëse e duke kërcënuar kështu seriozisht jetesën e qytetarëve, në këto ambiente askush nuk ka marrë mundimin të marrë qoftë edhe një masë të vetme. Përtej deklaratave publike të bëra nga drejtuesit e Inspektoratit Ndërtimor, probleme të tilla ekzistojnë në çdo cep të kryeqytetit. Çdo ditë bëhen dublexe, izolohen tarracat në kundravajtje të plotë me ligjin. Qytetarët ankohen, akuzojnë inspektorët edhe për para nën dorë të marra në këmbim të lejimit të punimeve dhe nuk arrijnë të marrin asnjë zgjidhje. Sa herë që ka nevojë për pak “show” nis ndonjë aksion ku hallexhinj e persona që nuk dinë ku të fusin kokën nxirren nga shtëpitë e tyre. z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›