Fundi i politikës së vjetër?
Përgjegjësitë politike tani janë aq të mëdha saqë nuk mund të zgjidhen as me shaka, as me mekanizma Dushku, as me nepotizëm politik. Politika shqiptare e kuptoi konsensualisht, përgjegjësinë për t'i dhënë fund lojës së vjetër të relacioneve të paprincipta, që më shumë i kanë sjellë kakofoni, paqartësi dhe turbulenca politikës shqiptare dhe aspak qartësi, konsekuencë apo përgjegjësi qoftë në qeverisje apo në opozitë. Politika shqiptare i ka tani të gjithë shanset të largojë ata që politikën e kanë patur jo mision, por vend pune apo përfitimi.
Votimi i reformës zgjedhore në Kuvend me konsensus, (rrallëherë kaq të gjerë), është një triumf për politikën moderne dhe zmbrapsje e merituar e një partitokracie të panevojshme, e cila në vend të lojës demokratike, ka qenë "lojtare për vete dhe interesat e saj".
Ridimensionimi i spektrit të politikës shqiptare, jo vetëm eliminon partitë parazitare, por dhe do të shërbejë për të krijuar elitën politike të vërtetë, aq të nevojshme për shoqërinë. Është fillimi i shpëtimit nga "dushqet", kombinatorikat e paprincipta pragmatiste, por afron ditën e largimit edhe për politikanët pa vlerë, të cilët kanë qëndruar të "kapur me thonj" pas saj, dhe që tani që e kuptojnë "fundin politik", janë bërë krejt të paekuilibruar nga frika e prishjes së çerdhes së vegjetimit personal dhe familjar përmes privilegjeve që sjell politika profesioniste. Ka qenë dhe është një turp, fakti që në shpatullat e brishta të këtij vendi dhe populli të varfër ushqehet padrejtësisht një klasë e tërë politike në përmasa të panevojshme, produktet e të cilëve janë tejet të pakta. Sidoqoftë, më në fund u realizua një dëshirë e madhe popullore dhe elektorale, që mundëson shkëlqyeshëm përputhjen e vullnetit politik të qytetarit me shumicën e politike të homogjenizuar, majtas apo djathtas, në përputhje adekuate me vullnetin e shprehur të qytetarit.
Koha vërtetoi me fakte, aftësitë politike të disa partive të vogla, të drejtuesve të shumtë, që i shtynë dy dekada duke bërë politikanin, pa qenë në thelb të tillë. Më në fund, duket se nuk do të ketë më mbi "masën e zgjedhësve", në "drejtim" të saj, politikanë të sajuar me mjete ekstra elektorale, që nuk kanë votën e merituar në vlerësimin proporcional rajonal. Ndaj gjykojmë se kjo do të bëjë që mbi njerëzit, të mos ketë më politikanë të shpikur, të sajuar. Qytetari, nga reforma, me siguri që do të jetë më i qetë politikisht dhe më i garantuar nga pikëpamja elektorale, për të gjetur të përputhur saktë vullnetin e tij me përfaqësimin politik në Parlamentin e ardhshëm.
Personalisht, më duket se reforma që miratoi Parlamenti shqiptar ka vlerë të jashtëzakonshme edhe në një aspekt tjetër po kaq të rëndësishëm. Tashmë nuk do të ketë më mospërputhje të vullnetit politik midis militantëve dhe politikanëve, midis qeveritarëve dhe të qeverisurve. Nuk është normale që shumica elektorale voton për një parti të caktuar dhe pastaj në qeverisjen e vendit dalin të tjerë, me "kombinatorika dushku" apo marrëveshje të paprincipta, që vënë në diskutim konsistencën dhe cilësinë e qeverisjes së vendit. Sistemi i ri zgjedhor ka meritë të jashtëzakonshme për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së politikës shqiptare, sepse po i jep përfundimisht fund zgjedhjes së elitave politike jashtë kodit moral që ndan dhe deformon vullnetin proporcional, me zgjedhjen nominale të atyre që "futen" artificialisht në skakierën e klasës politike.
Padyshim, reforma do ta "ndajë në dy pjesë" klasën e sotme politike, në të dobishme, që do të vazhdojë të bëjë politikë me përgjegjësi, sepse politika serioze thonë politologët, është veprimtari me përgjegjësi, me "kokë në torbë", nga pjesa tjetër që duhet t'i kthehet punës, profesionit, auditorëve, bizneseve, apo jetës private. Me siguri që, në zgjedhjet e 2009, klasa politike dhe qeverisëse do të jetë më e përzgjedhur, më cilësore, më e aftë. Kjo do të thotë që do të jetë më e përgjegjshme.
Politika shqiptare kishte kohë që i duhej të aplikonte këtë reformë, e cila do të bëhet një "mekanizëm" që do të ndihmojë në procesin e qarkullimit të një pjese të elitës politike të konsumuar, të lodhur moralisht, estetikisht, të amortizuar nga mungesa e angazhimit personal apo e mbështetjes së kufizuar elektorale. Në vitin e ardhshëm politik dhe elektoral, një pjesë e elitës politike të partive të mëdha, por sidomos të partive të vogla do të eliminohet demokratikisht. Në këtë pikë ka një meritë të padiskutueshme reforma zgjedhore, e cila është shpëtimtare për fatet e politikës shqiptare, për ta çliruar atë nga politikanët e panevojshëm, të padobishëm, të tepërt dhe tejet të kushtueshëm për këtë popull të varfër. Reforma, çdo ditë që do kalojë, do të vlerësohet si hap politik shumë i madh për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë, sepse ajo "çeli" më në fund, dyert e një procesi të thellë, të papërmbajtshëm të rinovimit të klasës politike shqiptare. Ajo do të ndikojë në institucionalizimin e procesit të "qarkullimit" dhe "ndryshimit" të ngadalshëm, por të pandalshëm të klasës politike shqiptare, duke bërë seleksionime meritokratike vlerash dhe njerëzish që i duhen politikës.
Politika shqiptare tani është para një momenti historik, të shmangies së politikanëve me cilësi të ulët. Pushteti dhe posti në politikë nuk mund të ruhet për një kohë të gjatë në mënyrë të pamerituar dhe vetëm me mbështetje artificiale, të jashtme, të partive të mëdha. Në politikë nuk qëndrohet me mekanizma të mëshirës dhe të lëshimeve artificiale. Tani shumë dukuri të lidhura me klasën politike, qoftë kur është në pushtet apo në opozitë, do të ndryshojnë për mirë. Reforma zgjedhore është përfundim i etapës së "demokracisë demagogjike", të bërë me politikanë të sajuar, pa mbështetje, pa elektorat. Mori fund arsenali antidemokratik i zgjedhjeve të manipuluara, i zgjedhjes së politikanëve nëpër kafene, duke u nisur nga kërcënimet e panevojshme për "marrjen apo rënien" e pushtetit.