E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e drithërave dhe Energjia

Kriza botërore e ushqimit që ka mbërthyer pothuajse pjesën më të madhe të rruzullit, por me efektet më të mëdha në vendet më të varfra, sidomos në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, ka gjasa që të vazhdojë të thellohet duke i përkeqësuar gjërat edhe më tej. Janë sidomos 33 vendet më të varfra të botës ku sipas përllogaritjes së Programit Ushqimor Botëror, kanë pasuar një rritje të menjëhershme me mbi 80 për qind të çmimeve, gruri, orizi apo misri, të cilat përbëjnë dhe bazën kryesore të shumicës së ushqimeve familjare. Në vende si Egjipti apo Pakistani, buka thatë shpesh përbën asortimentin e vetëm ushqimor që shoqëron të tre vaktet e ditës dhe, edhe pa pësuar rritjen e kohëve të fundit, nuk mund të arrihej nga masa të gjera njerëzish e pa subvencionuar. Qeveria egjiptiane, për shembull, e subvencionon bukën deri në atë farë mase sa është pothuajse falas për njerëzit e thjeshtë, përndryshe një krizë e përgjithshme urie do ishte e pashmangshme. Situata është akoma më e rënduar në Bangladesh, vend i cili llogaritej si vendi më i varfër i botës deri pak kohë më parë. Ndërkohë që lufta civile dhe kriza humanitare që ka kohë që ka rrokur Sudanin e bën situatën në këtë vend të arrijë në kufijtë e dëshpërimit dhe absurdit, duke bërë të pashmangshme një ndërhyrje humanitare të shkallës së gjerë. Në këto kushte të rënduara dhe që ka përfshirë edhe vendet e zhvilluara, ku bie fjala në Itali, çmimi i makaronave, që është edhe gjella kryesore e fqinjëve tanë, ka pësuar një rritje dy-tre fish në krahasim me çka qenë kohë më parë, por që gjithsesi është ende më lirë se pirja e një kafeje në lokal. Pra kriza, megjithëse nuk ka lënë pa kursyer askënd, ndjehet kryesisht nga vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim. Krahas të mirave, një botë përherë e më e globalizuar e thellon edhe më tej hendekun mes shteteve dhe kësaj gjendjeje i shkon për shtat maksima popullore, që i varfëri varfërohet, ndërsa paraja shkon te paraja.

Gjithsesi, ajo që vlen të theksohet është ndërhyrja energjike e superfuqisë së vetme dhe me mundësitë dhe kapacitetet e duhura financiare, për t`i bërë ballë një krize të tillë me përmasa botërore. Presidenti Bush premtoi lëvrimin e një shume të menjëhershme prej dhjetëra-miliona dollarësh si ndihmë për vendet e prekura më tepër nga kriza. Ndërkohë që edhe Sarkozi, ashtu si dhe një pjesë e homologëve evropianë shprehën solidaritet dhe iu përgjigjën me sensitivitet kësaj krize të re globale, që nuk ka vetëm një faktor. Ndërkohë që Rusia mund edhe të konsiderohet pjesërisht fajtore për këtë krizë të re, për shkak të një politike të re në lidhje me eksportin e grurit. Duke qenë një nga vendet kryesore eksportuese të grurit në botë, papritur vendosi ndryshimin e kursit dhe nuk lejon më tepër se 40 për qind të rezervave të saj për eksport, duke rritur për rrjedhojë të ardhurat nga shkaktimi i një ngritjeje artificiale të çmimit.

Natyrisht, kjo nuk është arsyeja e vetme e rritjes së çmimit të drithërave në tregjet botërore. Përdorimi i tyre për biodiezelin si një burim alternativ energjie ndoshta është edhe arsyeja kryesore e krizës së çmimeve. Në përpjekje për t'i shpëtuar varësisë ndaj naftës dhe nënprodukteve të saj, që përditë po thyen rekorde të reja në bursat e Wall Street-it apo Financial District, përdorimi i drithërave si burim alternativ energjie u pa si një mënyrë e përkohshme për t`i shpëtuar krizës së energjisë, deri në pritjen e zhvillimit të industrive të reja (si atyre të bazuara te Hidrogjeni etj.) Për të arritur definitivisht pavarësinë faktike nga presionet e stimuluara të tregut. Them të stimuluara, pasi dihet që çmimi naftës apo edhe gazit natyror nuk diktohen thjesht dhe vetëm nga logjika e tregut, por duke qenë se janë në dorë të vetëm disa vendeve të caktuara të cilat kontrollojnë më shumë se ¾ e rezervave të përgjithshme globale, arrijnë që me marrëveshje të përcaktojnë kuota prodhimi që sjellin vetvetiu edhe çmime standarde anekënd globit. Megjithëse shumica e këtyre vendeve si p.sh., Arabia Saudite, e cila është prodhuesja më e madhe e naftës sot në botë mbajnë qëndrime të moderuara dhe njihen si aleatë të amerikanëve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, shtete të tjera si Irani, Libia, Venezuela dhe së fundmi Rusia jo vetëm që janë të interesuara të rrisin sa më tepër çmimet e këtyre burimeve energjie, por për më tepër e shohin SHBA-në së paku si rival apo si kundërshtarin kryesor ku burimet energjetike që ato posedojnë, mund të përdoren si mjeti ideal për rezistencën ndaj hegjemonisë amerikane dhe si e vetmja mënyrë të luftuari ndaj kësaj superfuqie të vetme sot në botë.

Rusia, siç e shprehëm më sipër, ka një rol primar në këtë proces, pasi në të njëjtën kohë është një ndër eksportueset kryesore sot në botë si të drithërave (kryesisht grurit), ashtu edhe të naftës, dhe sidomos gazit natyror, ku përveç burimeve të brendshme energjitike, kontrollon edhe ato të ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore, si dhe shtete satelitë që shërbejnë si hallka në zinxhirin e transportit drejt tregjeve evropiane. Nëpërmjet politikës pragmatiste, por intransigjente të Putinit, prej kohësh Rusia e ka rritur ndjeshëm fuqinë ekonomike, ndërkohë që këtë e përdor për të rritur dhe sofistikuar arsenalin ushtarak duke rritur njëkohësisht edhe peshën dhe rolin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë që armët dhe municionet që janë pjesë e trashëgimisë sovjetike, dhe për pasojë të amortizuar, i shet në tregjet afrikane, në Lindjen e Mesme, Kinës, Indisë apo kujt t`i mundi tjetër. Pra, duke përfituar të ardhura të mëtejshme ndërkohë që modernizon teknologjinë e saj për t`iu afruar standardeve perëndimore (prej së cilave është ende shumë dekada larg).

Për ta mbyllur, dua të theksoj se në një botë përherë dhe më të ndërvarur, krizat (si p.sh., kjo e drithërave dhe ajo energjitike) nuk janë aq të shkëputura sa mund të mendohet më shikim të parë, por përkundrazi pasojnë apo ushqejnë njëra-tjetrën. Dhe ndërkohë që Shtetet e Bashkuara edhe njëherë po tregojnë lidershipin e tyre global, duke ndërhyrë për të minimizuar efektet që mund të ketë kjo krizë e përgjithshme ushqimi, që mund të çojë në revolucione, luftëra civile apo forcim të terroristëve, së bashku me partnerët e tyre evropianë, Rusia ndjek edhe këtë herë interesat e saj, me një pragmatizëm që shkon deri në kufij absurdë. Dhe këtu duket edhe falsiteti i dogmave zyrtare ruse kur flet për respektim të normave ndërkombëtare duke këmbëngulur fort në normativitetin e tyre, siç qe justifikimi legalistik që përdori në lidhje me rastin e Kosovës dhe pseudo-justifikimin që mund të shërbente për precedent. Sjellja e saj si aktor politik ndërkombëtar e bën të qartë se retorika është krejt tjetër nga praktika në rastin rus dhe se dëshira për të fituar dhe sunduar, nuk e ka shkëputur ende nga logjika komuniste e ish-Bashkimit Sovjetik dhe mendësia e Luftës së Ftohtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›