E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushner në Prishtinë: Thirrje për dialog me Beogradin

PRISHTINE- Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernar Kushner, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të nisin dialogun për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Këto komente, Kushner i bëri gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës. Ai bëri të qartë se pavarësia e Kosovës është proces i kryer historik dhe se tani Serbia dhe Kosova duhet të punojnë për të ardhmen e tyre në kuadër të BE-së, si dy shtete sovrane. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë kusht për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, tha sot në Prishtinë ministri i Jashtëm i Francës, Bernar Kushner.

Gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për nder të ministrit francez, Kushner tha se Serbia dhe Kosova duhet të nisin pajtimin dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet. Ai tha se ky do të jetë një proces i gjatë dhe jo i lehtë, por inkurajoi të dyja vendet që të nisin procesin e dialogut.
“Pajtimi është i mundshëm pavarësisht nga vuajtjet e së kaluarës”, tha Kushner.

Konfliktet e dekadave të fundit e kanë ndarë rajonin, tha Kushner, por tani, nënvizoi ai, ato duhet të mbeten prapa dhe të fillojë bashkëpunimi ndër-rajonal, që do ta shpejtojë integrimin e vendeve të rajonit në BE. “Unë nuk e di datën, por e di se një ditë, Kosova dhe Serbia do t’i marrin vendet e tyre si dy shtete në Bashkimin Evropian”, theksoi Kushner.

Popujt e Ballkanit e duan Evropën dhe kandidaturat e tyre do të shqyrtohen, tha Kushner, duke bërë të qartë se një prej kushteve për këtë integrim do të jetë edhe roli që këto vende do të luajnë në fqinjësi. Ndërsa apeloi për dialog, Kushner përsëriti qëndrimin e prerë të Parisit se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Pavarësia e Kosovës nuk është më në pyetje. Kjo është çështje e kryer dhe lëvizje e historisë, e cila nuk mund të ndryshohet më me asgjë”, tha Kushner.

Me pavarësimin e Kosovës, shtoi ai, ka përfunduar një punë e madhe, por ajo paraqet edhe fillimin e një rruge të re, në të cilën, siç u shpreh Kushner, Kosova nuk do të jetë e vetmuar, duke i premtuar edhe mbështetjen e Francës. “Keni besuar në një shoqëri demokratike e shumetnike, kurse tani duhet ta ndërtoni këtë shoqëri”, theksoi ministri francez.

Ai e çmoi lart gatishmërinë e kosovarëve që, përkundër shumë sakrificave, dhimbjeve e vuajtjeve që u ka sjellë lufta për liri, tani janë të gatshëm që të nisin procesin e pajtimit. Si edhe shumë zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë që kanë vizituar Prishtinën, edhe Kushner apeloi për reforma në sistemin e drejtësisë dhe më shumë angazhime në luftimin e korrupsionit. Pa një sistem të pavarur e efikas të drejtësisë dhe një administratë të zhvilluar, Kushner tha se shteti e humb kuptimin që ka.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Kushner ka në agjendë realizimin e takimeve të ndara me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Po ashtu, ai pritet të realizojë takime edhe me përfaqësuesit e pranisë civile ndërkombëtare, si dhe me ata të komunitetit serb.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›