E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kusht kritik për afrimin e mëtejshëm me BE-në

05/03/2009  Ndërkombëtarët lëshojnë mesazhe të qarta për zgjedhje të lira e të ndershme

Qëndrimet e kreut të OSBE-së në Tiranë Robert Bosch dhe komisionerit Olli Rehn

Faktori ndërkombëtar shprehet i interesuar që në Shqipëri zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të jenë tërësisht brenda standardeve më të mira. Zyrtarë të lartë që punojnë në vendin tonë, por edhe ata që ndjekin ecurinë e gjithë procesit të përgatitjeve për zgjedhjet, nënvizojnë rëndësinë që këto zgjedhje të jenë të lira, të ndershme dhe ku të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka vënë theksin në rëndësinë që ka procesi i pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit. Duke folur nga njësia bashkiake numër 7 në kryeqytet, Bosch ka kërkuar që qytetarët të shkojnë në vendet e caktuara që të aplikojnë për të marrë kartat e reja të identitetit, të cilat do t’u japin atyre mundësinë për të votuar më 28 qershor. “Të votuarit është detyrë e një qytetari të një vendi demokratik. Ne si OSBE jemi të interesuar për të pasur zgjedhje të lira dhe të mira”, - ka deklaruar kreu i prezencës së OSBE-së Robert Bosch. Ai ka vlerësuar me nota pozitive ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaporta me kartat e reja të identitetit. Megjithatë, numri një i OSBE-së në vendin tonë u shpreh se edhe personat që kanë pasaporta duhet të aplikojnë. Të njëjtën kërkesë për një proces zgjedhor të ndershëm dhe brenda të gjitha standardeve ndërkombëtare e ka përcjellë edhe komisoineri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Olli Rehn. Duke folur gjatë një tryeze të rrumbullakët kushtuar anëtarësimit të Kroacisë në BE, mbajtur në Bruksel, Rehn porositi politikën shqiptare të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse kërkon të integrohet në BE. Komisioneri Rehn tha se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë kusht kritik për gatishmërinë e vendit për afrimin e mëtejshëm me BE-në. Duke u ndalur në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian me vende të reja, Rehn deklaroi se do të shqyrtohen me kujdes kërkesat e çdo vendi të rajonit të Ballkanit për t’u anëtarësuar. “Para se t’i hapet dera një vendi nga Ballkani, Bashkimi Evropian do të shqyrtojë me kujdes të gjitha kontestet dhe problemet që ai vend ka me fqinjët”, - ka deklaruar komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn. Ai ka përmendur edhe zgjedhjet që do të mbahen së afërmi në Maqedoni, ku do të zgjidhet presidenti i ri i këtij vendi. Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kushti më i rëndësishëm që duhet të plotësojë edhe Maqedonia, nëse shpreson për çeljen e negociatave për anëtarësim me BE-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›