E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, zbardhet dokumenti sekret i PS-së

05/03/2009  Grupet patronazhit nisin identifikimin mbështetësve të PS-së mes zgjedhësve

“Nga 733 620 votues shqiptarë pa pasaportë, 92 238 prej tyre mbështesin socialistët”

Partia Socialiste zbardh skemën e saj mbi mënyrën e përzgjedhur për identifikimin e votuesve shqiptarë. Konkretisht kjo skemë nis me personat që nuk janë të pajisur me pasaportë. Kështu, fillimisht është përcaktuar numri i saktë i kësaj kategorie, për të kaluar në një tjetër aspekt, e pikërisht në identifikimin e përkatësisë partiake. Marrë shkas nga nisja e procesit për pajisjen me karta identiteti, lidershipi i Partisë Socialiste ka nisur implementimin e asaj pjesë të strategjisë së saj që lidhet me një fakt të tillë. Gjatë kësaj periudhe, pra që në çastin kur startoi ky proces dhe deri në përfundimin e tij, e gjithë partia, nga niveli qendror e deri në atë lokal, do të vazhdojë të jetë e përfshirë në procesin për pajisjen e gjithë mbështetësve dhe votuesve të saj me kartat e identitetit. Duke u ndalur në këtë çështje, socialistët janë të angazhuar për realizimin me sukses të këtij procesi. Por duke qenë se nga drejtuesit e kësaj partie është menduar që më së shumti të tregohet kujdes për personat që nuk janë të pajisur me pasaportë, socialistët përpos identifikimit të tyre janë kujdesur për perceptimin e bindjeve të tyre politike. Gjatë punës së bërë për evidentimin e numrit të personave që nuk kanë pasaportë, sipas strukturave të ngarkuara me një detyrë të tillë nga lidershipi i PS-së, e kjo për të 12 qarqet e vendit, rezultoi se janë 733 620 shqiptarë që nuk e kanë këtë dokument. Por më tepër sesa nxjerrja e këtij numri, për PS-së e rëndësishme është përkatësia e tyre partiake. Kështu, po në tabelën përmbledhëse, ku vetë drejtuesit e PS-së kanë bërë ndarjen në bazë të të dhënave, vihej re se për një pjesë të mirë të këtyre qarqeve 35 019 persona ishin identifikuar si mbështetës të Partisë Socialiste. Por në një identifikim të dytë ka rezultuar një shtesë e numrit të mëparshëm, dhe kjo për qarqe të ndryshme, konkretisht 57 219 votues shqiptarë mbështetës të PS-së. Por ndërkohë, edhe pse numri i personave që nuk janë të pajisur me pasaportë kapte një shifër relativisht të madh, sërish vetëm 12 115 prej tyre kishin aplikuar për pajisjen me letërnjoftime. Të gjitha këto të dhëna ishin të pasqyruara në një pasqyrë përmbledhëse të përgatitur nga drejtuesit e PS-së, ku mbi të gjitha synohej krijimi i një panorame të përafërt për peshën elektorale në secilin qark të kësaj partie. Gjatë gjithë kësaj kohe Partia Socialiste do të përqendrohet pikërisht në këtë moment, ku në bazë të të dhënave për votuesit mbështetës të PS-së, strukturat drejtuese të saj, përfshirë këtu vullnetarë, anëtarë partie, duhet të realizojnë pajisjen me letërnjoftime të kësaj kategorie. Por, ashtu sikundër u veprua për përgatitjen e listave të votuesve dhe përkatësinë e tyre politike, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë, po në të njëjtën mënyrë do të veprohet dhe për këtë proces të radhës. Të gjithë socialistët do të jenë të angazhuar në takimet me votuesit, ku do t’u bëjnë me dije ditën, orën dhe vendin ku ata duhet të shkojnë të marrin kartat e identitetit. Aktualisht e gjithë vëmendja është përqendruar te votuesit që nuk janë pajisur me pasaportë, ku në mungesë të saj për të votuar detyrimisht duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit.

PS-ja hedh poshtë deklaratat e qeverisë

Gjiknuri: Letërnjoftimet, qeveria gënjeu publikun

“Në faqen e internetit të Ministrisë nuk ka asnjë informacion për procesin”

Partia Socialiste hodhi dje poshtë deklaratat e ardhura nga përfaqësuesit e kabinetit qeveritar. Kështu, zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone akuzoi opozitën se po deformon procesin e aplikimit për letërnjoftime të qytetarëve. Duke marrë shkas nga një deklaratë e tillë, sekretari për Çështjet Ligjore në PS Damian Gjiknuri vuri në dukje në një konferencë për shtyp se “ajo që po ndodh në realitet, është një proces i mbushur me shumë probleme dhe që qeveria me dashje apo pa dashje po përkeqëson një çështje që i përket kryesisht asaj”. Sekretari socialist i kujtoi qeverisë se “është ajo që gënjeu publikun kur deklaroi se brenda muajit shkurt zyrat e aplikimit do të shtriheshin në të gjithë vendin, kur në fakt sot janë hapur jo më shumë se 80 të tilla”. Sipas tij, është detyrim i qeverisë që të marrë të gjitha masat për njoftimin dhe aplikimin me përparësi të të gjithë zgjedhësve që nuk kanë pasaportë, siç ka parashikuar edhe Kodi Zgjedhor, si dhe të ushtrojë të gjithë kujdesin e duhur që këto lista të jenë të sakta, pasi nga të dhënat në terren ky numër rezulton të jetë shumë më i lartë. “Nuk është përgjegjësi e opozitës, por vetëm e qeverisë, që nuk ka zhvilluar fushatën e duhur për informimin e qytetarëve për këtë proces, si dhe sanksionet që lidhen me to. Mjafton të hyni në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme dhe do të shikoni se nuk ka asnjë informacion për këtë proces përveç ndonjë deklarate të zotit Pone”, - deklaroi Gjiknuri. Në gjykimin e socialistëve zgjedhjet rrezikohen nga mospajisja në kohë e shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe jo nga fluksi i ulët i aplikimit për shtetasit e tjerë. “Çdo tentativë për të lidhur këtë kategori me shtetasit e tjerë, të cilët normalisht do të aplikojnë me kohë, është dashakeqëse dhe problematike për integritetin e procesit. I kujtojmë qeverisë se ishte PS-ja që dha alarmin për këtë kategori zgjedhësish dhe jo qeveria, e cila haptazi me vendimin e saj e anashkaloi këtë detyrim”, - vuri në dukje Gjiknuri lidhur me një çështje të tillë. Njëkohësisht, po në këtë linjë, sekretari socialist i kujtoi mazhorancës se “është ajo që në mënyrë sistematike po refuzon ngritjen e një komisioni ad hoc monitorues, pikërisht edhe për të bërë të qartë se ku fillojnë dhe ku mbarojnë përgjegjësitë e saj politike në këtë proces”.

PS-ja për Metën

PS-ja dhe LSI-ja thellojnë çdo ditë e më shumë ndarjen mes tyre. Kreu i LSI-së Ilir Meta në takimet e tij elektorale në rrethe të ndryshme nuk harron të akuzojë dhe kritikojë ashpër kryetarin e PS-së Edi Rama. Ndërkohë ky i fundit ka zgjedhur një rrugë tjetër: kundërpërgjigjet përmes prononcimeve të shkurtra të përfaqësuesve të PS-së dhe jo vetë. “Që Ilir Meta të flasë si Berisha, kjo s’është as e para, as e fundit, por që Iliri të rithotë ato që thotë Gerti i Berishës, kjo vërtet flet më shumë se çdo gjë tjetër. Ai jo vetëm po i shërben Berishës, por edhe po katandiset njësoj si ata që i shërbejnë Berishës, pa dashur t’ia dinë për nivelin shumë të ulët moral e kulturor që shfaqin. Meta dhe Berisha janë e shkuara. Vota për Metën është votë për Berishën”, - u shpreh Haxhiymeri ndaj deklaratës së pak ditëve më parë të Metës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›