E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e lira do të jenë guri i provës për të ardhmen e Shqipërisë

05/03/2009  Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon standarde në zgjedhje

Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson se mesazhet e faktorit ndërkombëtar drejtuar politikës shqiptare e në mënyrë të veçantë qeverisë përbëjnë një tregues shumë të qartë se zgjedhjet do të jenë guri i provës për të ardhmen e Shqipërisë. “Deklarata e fundit e Olli Rehnit tregon shumë qartë dhe pa asnjë ekuivok se vetëm realizimi i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas standardeve do të jenë guri i provës për të ardhmen e Shqipërisë dhe vetëm pas realizimit me sukses të tyre mund të flitet për aplikimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian e të tjera çështje të mbetura pezull”, - ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili. Gjatë një komunikimi me mediet ai ka theksuar se tashmë zgjedhjet kanë hyrë në një fazë shumë delikate lidhur me standardet, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me kartat e identitetit dhe procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së tyre. “Qeveria shqiptare sot ka shkelur të gjitha afatet që kanë të bëjnë me ngritjen e qendrave të aplikimit për karta e identitetit në të gjithë territorin, duke shkelur qartë edhe afatet e marra përsipër publikisht. Çdo thirrje e qytetarëve për aplikim është demagogji, në një kohë që ajo nuk ngre qendrat e aplikimit, të cilat e pranon edhe vetë publikisht se nuk janë ngritur fare në shumë njësi vendore”, - ka deklaruar Vasili. Sipas tij, ritmi dhe sasia e kartave të shpërndara është shumë larg të gjithë planit të bërë publik nga vetë qeveria. Zyrtari i lartë i LSI-së kërkoi që shteti të marrë masat e domosdoshme dhe të shpërndajë pa pagesë kartat për shtresa në nevojë, si: pensionistët në fshat dhe qytet, studentët dhe nxënësit, personat që marrin pagesë papunësie, të papunët, personat anëtarë të familjeve që marrin ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre si dhe personat me pagë minimale në sektorin publik dhe privat. Sipas Vasilit, vetëm në këtë mënyrë mund të inkurajohen qytetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›