E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kontroll në shkolla për thikë e armë

05/03/2009  Mesatarisht çdo javë regjistrohen deri në 6 përleshje me mjete të ftohta mes të rinjve

DURRES- Plagosjet e shumta që kanë ndodhur në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare mes nxënësve në Durrës ka shtyrë policinë të organizojë kontrolle fizike. Fenomeni i rrahjes, plagosjes, therjes dhe përdorimit të armëve nga nxënës është bërë shqetësues për uniformat e policisë dhe veçanërisht për inspektorët e lagjeve. Sipas të dhënave që jep policia, në një javë ndodhin mesatarisht 5-6 plagosje, të cilat janë cilësuar si vepër kriminale, ndërkohë që numri i incidenteve me mjete të ftohta si thika, leva, kaçavida në territoret brenda e jashtë shkolle është disa herë më i madh.

Kontrolli

Drejtues Ilia Nasi dhe shefi i antikrimit ka mbledhur në një takim punonjësit e policisë së zonës si dhe të gjithë përgjegjësit e patrullave që kujdesen për mbarëvajtjen e rendit e të qetësisë pranë shkollave për të analizuar situatën kritike. Burime policore thonë se është përcaktuar edhe një plan veprimi për të realizuar kontrolle të befasishme. Policia nisur nga të dhënat e tërthorta ka informacione se ndodh që nxënësit mbajnë në çanta jo vetëm cigare, por edhe thikë, kaçavidë, plumba dhe mjete të tjera që cilësohen të ndaluara. Vetëm në harkun kohor të dy javëve të fundit në shkollat e Durrësit janë shënuar 13 raste të përleshjeve mes grupeve të nxënësve, përdorimit të mjeteve të forta dhe të armëve të ftohta. Katër nxënës sipas policisë kanë përfunduar në sallat e kirurgjisë dhe në reanimacion duke mundur të dalin nga gjendja kritike pas një shërbimi intensiv të mjekëve të Durrësit dhe të mjekëve në Spitalin Ushtarak. Një ditë më parë është ndaluar nga policia Bajram M., nxënës në një nga shkollat e qytetit të Durrësit, pasi sipas deklarimit zyrtar, ai ka goditur me thikë shtetasin E. GJ. Ndërsa nxënësi i arsimit të mesëm është tashmë në gjendje arresti, i dëmtuari ka kaluar nga salla e kirurgjisë në atë të reanimacionit. Ndërkohë një muaj më parë, në analizën e bërë nga Drejtoria e Policisë së qarkut është thënë shkoqur se droga dhe prostitucioni rrezikojnë shkollat dhe universitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›