E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e PS, opozita mungon sërish sot

PS-ja u ka nisur letër institucioneve shtetërore, si dhe gjithë ambasadave në vend për zgjedhjet


TIRANË - Deputetët socialistë nuk do të jenë të pranishëm as në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të lexohet raporti i Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve dhe më pas të kryhet procedura e betimit.


Burime nga Partia Socialiste kanë konfirmuar dje për gazetën se grupi i saj parlamentar nuk do të jetë sot në sallën e Kuvendit, duke vijuar që të ruajë pozicionimin e tij për të bojkotuar punimet e këtij institucioni deri në realizimin e kushteve që kjo forcë politike i ka vënë mazhorancës, kryesisht për të hetuar procesin elektoral të 28 qershorit.


Megjithatë, duket se brenda grupit parlamentar socialist ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me këtë qëndrim. Përveç atij grupi deputetësh, që kanë kundërshtuar hapur bojkotin e Kuvendit, ekziston dhe një grup tjetër deputetësh që, pavarësisht se mbështesin rezolutën e Kongresit dhe vendimin e kryesisë së partisë për të kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend, kërkojnë që grupi kuvendor socialist të shkojë sot në seancë vetëm për të bërë betimin, pra për t'i dhënë fuqi juridike mandatit të tyre.


Gjithashtu, ata e argumentojnë këtë qëndrim të tyre me nevojën për të bërë prezente kushtet e tyre para mazhorancës. Megjithatë, duket se PS-ja ka menduar një procedurë tjetër për të njohur institucionet shtetërore dhe faktorin e huaj në vend me kushtet e saj.


Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur se PS-ja u ka nisur nga një letër të gjitha institucioneve të larta shtetërore, si dhe gjithë ambasadave në vend me qëndrimin e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe kërkesat me të cilat ajo kushtëzon pjesëmarrjen e saj në Kuvend.


Nuk përjashtohet në këtë drejtim dhe mundësia për të kryer negociata mes PD-së dhe PS-së për zgjidhjen e këtyre kërkesave, si mundësia e vetme për të kthyer socialistët në Parlament.


Ndërkohë që, gjatë ditës së sotme, Rama ka thirrur në takime të veçanta deputetët e çdo qarku, me qëllim konsultimin e veprimit të mëtejshëm të kësaj force, por edhe për t'i udhëzuar ata mbi procesin e njohjes së anëtarësisë socialiste me këtë qëndrim, gjatë një turi takimesh që ata pritet të nisin në ditët në vijim.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›